Showbiz

E keqja e gjen superheroin e saj

Menduan se ai ishte dhurata e tyre më e madhe dhe përgjigja në lutjet shumëvjeçare. Por bekimi i tyre bëhet kërcënim jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë Tokën.

Horrori fantastiko-shkencor “Brightburn këtë maj do t'ju detyrojë të rishqyrtoni gjithçka që e keni ditur ndonjëherë për heronjtë që kanë superfuqi, sepse këtë herë e keqja e ka superheroin e saj. Se si duket e keqja e cila këtë vit e kërcënon njerëzimin, shikoni trailerin më të fundit që po ju sjellim.

Emri i tij është Brandon (Jackson A. Dunn). Brandonin kur ishte bebe e gjen një çift i martuar, Tori (Elizabeth Banks) dhe Kyle (David Denman), të cilët pasi që pas një kohe përpiqen pa sukses të kenë fëmijë, e mbajnë atë pa menduar dy herë. Ai duhej të ishte shpërblimi i tyre dhe bekimi i tyre më i madh, por ngjarja shkon në një drejtim krejtësisht tjetër.

Kur djaloshi rritet prindërit e tij e kuptojnë se ky nuk është një djalë i zakonshëm por një fëmijë shumë i veçantë me aftësi aliene. Sado që në fillim përpiqen t’i injorojnë shenjat dhe aftësitë e pazakonta të djaloshit, pas disa incidenteve që kanë ndodhur pikërisht falë Brandonit, Tori dhe Kyle duhet të përballen me të vërtetën e tmerrshme – me superfuqitë e Brandon menaxhon e keqja dhe se e gjithë Toka është në rrezik, shkruan KOHA Ditore.

Duke i kërkuar përgjigjet në pyetjet për veten sepse gjithmonë është ndjerë ndryshe, Brandon i zbulon aftësitë e tij të pabesueshme por edhe mënyrën se si t’i përdorë ato. Mënyra e tij, për dëshpërimin e prindërve të tij, nuk është në dobi të njerëzimit. Edhe pse edhe vetë në rrezik, nëna e Brandon, Tori nuk heq dorë nga kërkimi për të mirën në të, sepse, pavarësisht çdo gjëje, ai është ende djali i saj.

Në horrorin e frikshëm fantashkencor Brightburn do ta kuptoni se njerëzit misteriozë me superfuqi nuk vijnë gjithmonë në Tokë për të na shpëtuar.