Showbiz

Vazhdimi i “Avatarit” shtyhet për 2021

Kur Disney e bleu studion 21st Century Fox, një nga shumë titujt që i takoi është edhe Avatari i James Cameronit, kështu që tani është marrë vendimi i ri rreth vazhdimit të franshizës – dhe kjo nënkupton edhe një tjetër vonesë.

Tani nga Disney vjen njoftimi zyrtar se filmin “Avatar 2” mund ta presim në kinema vetëm në dhjetor të vitit 2021, dhe jo në dhjetor të vitit 2020 siç pritej deri para disa ditësh. Filmi i tretë në franshizë pritet dy vjet më vonë, në vitin 2023, filmi i katërt është planifikuar për në dhjetor 2025, ndërsa filmi i pestë për dhjetorin e vitit 2027.

“Avatari” i Cameronit në vitin 2009 ishte rekorder nëpër biletari dhe i fitoi gjithsej 2.8 miliardë dollarë në mbarë botën, duke u bërë filmi më i suksesshëm i të gjitha kohërave. Ai në vendin e parë ka qëndruar për dhjetë vjet ndërsa tani këtë vend po ia rrezikon filmi i ri “Avengers: Endgame” i cili për dhjetë ditë tashmë i ka inkasuar 2 miliardë dollarë dhe e zuri vendin e dytë pas “Avatarit”, shkruan KOHA Ditore.

Image

T’ju rikujtojmë, pas një blerjeje prej 71.3 miliardë dollarësh të filmave, franshizave dhe pronësinë intelektuale të Fox, Disney doli me disa tituj shumë të fortë (përveç “Avatarit” këtu është edhe e gjithë franshiza e X-Men dhe Star Wars). Por si duket kjo blerje ka pasur ndikim të keq në planet e filmave të “Avatarit” për të cilët kjo nuk është hera e parë që shtyhen. Fox disa vjet më parë premtoi se “Avatar 2” do të shfaqet në kinema gjatë Krishtlindjeve të vitit 2016, pas së cilës është shtyrë për vitin 2017 dhe pastaj për vitin 2018. Pas gjithë kësaj, Cameron për “The Star” tha se përsëri do të ketë shtyrje pasi planifikojnë t’i xhirojnë të katër filmat njëkohësisht.

Në nëntor të vitit të kaluar, BBC mësoi për titujt e të gjitha vazhdimeve që na presin, dhe ata janë, sipas radhës: “Avatar: The Way of Water”, “Avatar: The Seed Bearer”, “Avatar: The Tulkun Rider” dhe “Avatar: The Quest for Eywa”.