Showbiz

“The Big Bang Theory” la një gjurmë të pashlyeshme

Me ceremoninë në të cilën të gjithë aktorët kryesorë të serialit televiziv çmimfitues "The Big Bang Theory" i lanë shenjat e duarve në çimento para Chinese Theatre të famshëm në Hollywood, është shënuar fundi i serisë e cila do ta përfundojë xhirimin pas 12 sezoneve.

Kjo është hera e parë që një seriali televiziv i është dhënë një nderim i tillë dhe nuk është çudi që Johnny Galecki, Jim Parsons, Kaley Cuoco, Simon Helberg, Kunal Nayyar, Mayim Bialik dhe Melissa Rauch për këtë ditë ishin shumë emocionalë.

Në natën para ceremonisë ekipi e xhiroi episodin e fundit prej gjithsej 279 episodeve. "E përfunduam xhirimin, por ne të shtatë do të shoqërohemi ende. Kjo seri ishte bekim për të gjithë ne dhe ajo gjithmonë do të jetojë në ne", tha Jim Parsons, i cili në seri e luan gjeniun Sheldon Cooper, shkruan KOHA Ditore.