Showbiz

Promotori i Woodstock 50 i akuzon investitorët për tërheqjen “e paligjshme” të 17 milionë dollarëve

Promotori i Woodstock 50, Michael Lang, i akuzoi ish-partnerët e tij afaristë për "tërheqjen ilegale" të 17 milionë dollarëve nga llogaria bankare e festivalit dhe tha se ata po përpiqeshin ta "ngufatnin dhe vrisnin" ngjarjen e përvjetorit.

I planifikuar që të mbahet në fundjavën e 16-18 gushtit në Watkins Glen International Speedway në New York, festivali fillimisht hasi në telashe kur biletat nuk dolën në shitje sipas planit. Më vonë financuesit Dentsu njoftuan se Woodstock 50 ishte anuluar pasi që ata ishin tërhequr nga mbështetja, ndërsa Lang këmbënguli se do të vazhdonte pa ta.

Në raundin e fundit të sfidave, Lang - i cili e bashkëthemeloi Woodstockun origjinal në vitin 1969 – e akuzoi Dentsu për disa veprime të paligjshme. Në një dokument prej pesë faqeve në të cilat ka pasur qasje “Rolling Stone”, thuhet se Dentsu i kishte "tërhequr ilegalisht rreth 17 milionë dollarë nga llogaria bankare e festivalit", shkruan KOHA Ditore.

"Gjithashtu kemi prova se përfaqësuesit e Dentsu kanë shkuar aq larg sa të thonë se nëse tërhiqen talentet/performuesit nga Woodstocku, ata do të shikoheshin favorshëm nga Dentsu dhe kjo mund të rezultojë në performancën e tyre në Olimpiadën Verore 2020 në Tokio, ku Dentsu është organizatori kryesor", vazhdoi ai." Në këto veprime gjithashtu Dentsu ka vepruar jo vetëm pandershëm, por edhe jashtëligjshëm".

Lang pohoi se Dentsu e ka bllokuar lansimin e shitjes së biletave "pa asnjë arsye." Ai argumentoi se, pas shqetësimeve se festivali do të humbiste para, ai paraqiti "plane të shumta që ilustrojnë fitim të lehtë dhe të dëshmuar me dokumente mbështetëse. Sidoqoftë, për shkaqe që nuk na janë shpjeguar, si duket kjo ka hasur në veshë të shurdhër".

Ai tha se me "marrjen përsipër" të festivalit dhe pastaj me anulimin e tij, Dentsu kishte vepruar përtej kompetencave të veta, dhe se listimi i filialit të Dentsu, Amplifi Live, si bashkë-producent ishte aranzhuar vetëm për arsye "optike".

Duke këmbëngulur edhe një herë se festivali do të mbahej, Lang shkroi: "Është një gjë në qoftë se kompania juaj, Dentsu, dëshiron të tërhiqet nga angazhimi i saj në Woodstock, sepse nuk do të fitonte aq para sa kishte shpresuar, por të përpiqesh ta ngufatësh dhe ta vrasësh Woodstockun në mënyrë që të mos mund ta kemi një festival për përvjetorin tonë të artë, kjo shkakton huti për cilëndo kompani, e lëre më një kompani që zotohet për reforma".