Showbiz

Nora Istrefi: Era është unike në muzikë

I mjaftoi shumë pak kohë për t’u bërë e njohur për publikun evropian dhe jo vetëm.

Pa dyshim mund të thuhet se Era Istrefi ka pushtuar tregun ndërkombëtar me muzikën që ajo krijon. Përveçqë këngët e saj kanë zënë vend në toplistat më të njohura, ajo po ashtu performoi në skena të mëdha botërore.

Performanca e saj e fundit ishte në festivalin e njohur botëror “Coachella”, në të cilin ndër vite kanë performuar yje të muzikës si: Beyonce, Lady Gaga, Rianna, Usher, Martin Garrix etj.

Me këtë rast, këngëtarja Nora Istrefi, për emisionin “N’gas’z” në KTV, është shprehur se Era ka pasur emocione të mëdha para kësaj performance, marrë parasysh peshën e këtij festivali.

Ajo më tej u shpreh se Era Istrefi është unike në muzikën që bën. Veçanti tjetër, Nora e quajti faktin që ndërkombëtarët i janë ofruar asaj pas publikimit të këngës “Bon Bon”, pasi synimet e saj nuk ishin për tregun ndërkombëtar, aq më tepër me atë këngë.

Krahas sukseseve që është duke pasur muajve të fundit, këngëtarja Era Istrefi është duke punuar shumë në krijimin e projekteve të reja.

Projekti i saj i fundit ishte ai me titull “Redrum” i publikuar në shkurt të këtij viti.