Showbiz

Britney Spears në psikiatri pa vullnetin e saj

Lajmi se Britney Spears është paraqitur në një institucion të shëndetit mendor në Kaliforni para pak ditësh bëri jehonë anembanë botës, megjithatë, së fundi janë paraqitur informacione të reja skandaloze.

Një ish-bashkëpunëtor i ngushtë i pop yllit përmes fan klubit zyrtar të Britney Spears njoftoi dhe zbuloi se në fakt e ka ndërprerë bashkëpunimin shumëvjeçar me ekipin e saj, sepse nuk u pajtua me mënyrën se si ata e drejtojnë karrierën e saj, përkatësisht për shkak të asaj se vazhdimisht e kishin ngarkuar me obligime edhe pse të gjithë e kishin të qartë se ajo nuk mund t’i përballonte të gjitha ato.

Ai e konfirmoi faktin se Britney gjendet në institutin e shëndetit mendor, por jo nga java e kaluar, siç njoftuan mediat botërore, por që nga janari i këtij viti. Përveç kësaj, ai theksoi se këngëtarja e refuzonte shkuarjen në klinikë dhe se tashmë për katër muaj është atje kundër vullnetit të saj.

Anëtarët e familjes dhe partneri, sipas tij, e morën këtë vendim pasi ishin të brengosur sepse Spears e ndërpreu marrjen e ilaçeve, shkruan KOHA Ditore.

T’ju rikujtojmë, Britney në fillim të këtij viti e anuloi paraqitjen e rregullt në Las Vegas për shkak të, siç theksoi, dëshirës që t’i përkushtohet familjes pas operacionit të babait. Që atëherë, në llogaritë e saj zyrtare në mediat sociale janë postuar vetëm dy postime, në asnjërën nuk gjendet fotografia e saj e ndonjë date të re, që është arsyeja se pse ka lindur dyshimi se ato në fakt i ka postuar ekipi i saj, dhe jo vetë këngëtarja.