Showbiz

Pablo Schreiber është Master Chief

Pablo Schreiber u zgjodh për rolin kryesor në serinë “Halo”, përshtatjen e shumëpritur televizive të Showtime të franshizës së videolojërave “Xbox”.

Schreiber do të paraqitet në rolin e Master Chief, luftëtarit më të avancuar tokësor në shekullin e 26 dhe shpresës së vetme për shpëtimin e civilizimit i cili është në prag të shkatërrimit nga Covenant, aleanca e pandalshme e botëve jashtëtokësore të përkushtuar për një qëllim të vetëm: shkatërrimin e njerëzimit, shkruan KOHA Ditore.

Image

Përveç kësaj, aktorja e re Yerin Ha do ta luajë personazhin e ri brenda botës Halo: Quan Ah, 16-vjeçaren dinake dhe të guximshme nga kolonitë e Jashtme e cila takohet me Master Chief në një moment fatal për të dy.

Produksioni i serisë bëhet nga Showtime, së bashku me 343 Industires dhe Amblin Television të Steven Spielberg.

Otto Bathurst do ta bëjë regjinë e disa episodeve dhe do të shërbejë si producent ekzekutiv, së bashku me Kyle Killen, i cili është skenarist dhe showrunner i serisë.

Produksioni i serisë do të fillojë këtë vjeshtë në Budapest, ndërsa data e shfaqjes nuk është caktuar ende.