Showbiz

"The Six Billion Dollar Man" i Wahlbergut bëhet (përsëri) me regjisor

Descriptive Text

Regjisori i filmit nga franshiza e “Transformers”, “Bumblebee”, Travis Knight do ta bëjë regjinë e përshtatjes filmike të serisë fanta-shkencore “The Six Billion Dollar Man”, në të cilin rolin kryesor do ta luajë Mark Wahlberg.

Në origjinalin e titulluar “The Six Million Dollar Man” bëhet fjalë për klasikun fanta-shkencor nga ekranet e vogla i cili u shfaq në pesë sezone, nga viti 1973 deri në 1978. E xhiruar sipas romanit Cyborg të Martin Caidin, seria bënte fjalë për ish-astronautin Steve Austin (të cilin e luajti Lee Majors) i cili kishte fuqi mbinatyrore për shkak të implanteve bionike dhe për këtë arsye u bë agjent i fshehtë i agjencisë së sajuar amerikane OSI, shkruan KOHA Ditore.

Studioja Warner Bros. në vitin 2017, i bleu të drejtat për projektin nga Weinstein Company e cila falimentoi. Regjinë e filmit është dashur ta bënte Damian Szifron, por ai u largua nga projekti.

“The Six Billion Dollar Man” në kinema do të duhej të mbërrijë më 31 maj 2020, por meqë Szifron e braktisi rolin e regjisorit, Warner Bros. në tetor e largoi datën e publikimit nga faqet e veta. Meqë Knight e zuri vendin e tij, së shpejti do të shohim se çfarë do të ndodhë me filmin. Skenari është shkruar nga Bill Dubuque.