Showbiz

John Cena i interesuar për vazhdimin e “Suicide Squad”

Njeriu i aksionit, John Cena, thuhet se është në bisedime që t’i bashkohet vazhdimit të “Suicide Squad”.

Ylli i “Bumblebee” po e shqyrton mundësinë për t'u bashkuar me aktorët kryesor Margot Robbie dhe Jai Courtney në vazhdimin e përshtatjes së stripit të vitit 2016, edhe pse detajet rreth asaj se kush do të jetë ai nuk janë zbuluar ende, përcjell Variety.com.

Nëse Cena (tashmë i ngarkuar) pranon të luajë, filmi do ta shënojë angazhimin e tij të parë në filmat e stripave, pasi që ai e ktheu vëmendjen tek aktrimi në vitet e fundit, pasi u bë një nga yjet më të mëdha të WWE.

Ai nuk do të jetë shtesa e vetme e re në formacion - Idris Elba u zgjodh për projekt muajin e kaluar, kur raportet e para sugjeruan se do ta luante rolin e Deadshot, pasi konfliktet me orarin e kishin penguar Will Smithin që ta përsërisë rolin.

Sidoqoftë, më pas u njoftua se Elba do ta luajë një personazh krejtësisht të ndryshëm, meqë Deadshot nuk do të paraqitet më në tregim.

Vetëm tre personazhe nga Suicide Squadi origjinal pritet të bëjnë kthimin e tyre: Harley Quinn i Robbiet, Captain Boomerang i Courtney dhe Amanda Waller nga Viola Davis, shkruan KOHA Ditore.

Regjisori i “Guardians of the Galaxy”, James Gunn, e ka shkruar skenarin dhe do ta bëjë regjinë e vazhdimit, të titulluar thjesht “The Suicide Squad”, ndërsa produksioni pritet të fillojë këtë vjeshtë, përpara shfaqjes në gusht të vitit 2021.

Filmi i parë i superkeqbërësve, me regji të David Ayer dhe me Jared Leto dhe Cara Delevingne gjithashtu në rolet kryesore, u prit keq nga kritikat, por i inkasoi 750 milionë dollarë në biletaritë globale.