Showbiz

Nga Kosova në Amerikë, si u bë i famshëm stilisti Nazim Salihu

Ishte periudhë e vështirë për Kosovën, kur iu hapën dyert e ëndrrës së madhe. Ai është shembulli i një njeriu që ka realizuar gjithçka me shumë mund. Pasionin dhe profesionin e tij e vlerësojnë në SHBA e kudo ku duart e tij kanë prekur të bukurën.

Nazim Salihu jeton në Amerikë që nga viti 1999, ndërsa tregon se dëshira për t’u bërë stilist e kishte ngacmuar që në adoleshencë e fill prej atyre viteve mori drejtim e duhur duke u realizuar profesionalisht e duke lobuar për të veçantë përtej oqeanit. Salihu ka përfunduar shkollën “Brio Academy” në Hartford të Connecticut dhe është i certifikuar si stilist. Është fitues i shumë çmimeve. Për “Gazeta shqiptare” vjen një rrëfim ndryshe i një personazhi, që e vlerësojnë dhe e duan figura të njohura të kulturës dhe artit në botë. Stilisti tregon për rastet kur ka rregulluar disa nga personazhet e njohur të Hollivudit si Luck Welson, Jenifer Aniston, këngëtarin Keny Roger, sportistë e shumë aktorë të tjerë. Më tej, këshilla mjaft të vlefshme vijnë për flokët, sidomos për sezonin e verës që është pranë. Tek rrëmojmë përtej punës së tij, me shumë krenari Nazimi na pohon se me stilimin e flokëve tanimë merren edhe vajzat e tij, që janë bërë pjesë e pandarë e skuadrës.

-Sa e vështirë ka qenë për ju të depërtoni në SHBA, përmes profesionit?

N. Salihu: Me të vërtetë ka qenë një sfidë që nuk kam për ta harruar. Në vitin ’99, gjatë kohës së luftës në Kosovë, pata fatin që u lajmërua një sponsor në shtetin e Minnesotes, i cili e kishte lokalin në aeroport (sallon flokësh). U bëra pjesë integrale e sallonit të tij e kështu për 9 vitet e para më dha mundësinë të punoja në profesionin tim.

-E veçanta e një stilimi që do e bënit përsëri?

N. Salihu: T’ju them të drejtën, ka 3 dekada që merrem çdo ditë me flokun dhe trendet e fundit të modës, të cilat përpiqem t’i përcjell në të njëjtën mënyrë dhe të eksperimentoj për t’i bërë edhe më të veçanta ato. Punoj në atë mënyrë që të jem unik dhe të duken sa më interesante punimet e mia.

-Puna juaj ju ka lidhur me shumë personazhe të famshëm. Sa ndryshojnë ata nga ekrani? Kush prej tyre ju është dukur më me komplekse?

N. Salihu: Kam punuar dhe punoj ende me shumë figura publike aktore, këngëtare, të cilat natyrisht me mua janë shumë modeste. Kur shohin që unë e bëj punën me zemër dhe mundohem që të duken sa më bukur para ekranit, më çmojnë edhe më shumë. Në përgjithësi, ndodh shpesh që kur i rregulloj dhe shohin një ndryshim në pamje, ndihen mjaft lumtura dhe më vlerësojnë për kreativitetin.

- Cilat janë tendencat e fundit që preferojnë femrat për ngjyrën dhe modelin e flokëve?

N. Salihu: Çdo gjë që po paraqitet tani nëpër trendet botërore sa i përket stilimit të flokëve ka të bëjë me veçantinë e ngjyrave. Është kënaqësi e jashtëzakonshme që të punosh me shumë lloje ngjyrash e të eksperimentosh me to.

-Këshilla që do u jepnit atyre për sezonin veror?

N. Salihu: Këshilla ime për sezonin veror sa u përket flokëve është më shumë për pjesën e përdorimit të shampove dhe balsamit që e rregullon dhe e mirëmban flokun, duke i dhënë butësinë e dëshiruar. Gjithashtu, këshilloj të përdoren vajra gjatë procesit të krehjes dhe shumë më pak spraj shkëlqimi.

-Keni fituar një sërë çmimesh. Çfarë synoni të arrini më tej?

N. Salihu: Po, e vërtetë. Kam marrë shumë çmime për këto tri dekada dhe më besoni kur ju them se qëllimi i vetëm i imi ka qenë ta bëj punën me pasion, si në ditën e parë kur kam filluar ta ushtroj profesionin. Pra, unë suksesin tim e shoh në bazë të punës, që aq shumë e dua. Kam dëshirë të jem rreth njerëzve të botës së artit dhe kulturës, si dhe të lë gjurmë që as pluhuri i kohës të mos mundet t’i fshijë.

-Fëmijët janë duke ndjekur rrugën tuaj. Keni ndikuar te zgjedhja e tyre?

N. Salihu: Kjo pyetje që më bëtë më jep një emocion të thellë, më bën të ndihem shumë krenar. Kur fëmijët ishin shumë të vegjël, shpesh më kanë ndjekur gjatë punës që bëja, gati për çdo ditë, muaj, vit, me orë të tëra. Tani janë 4 stilista. Një mundem ta veçoj e ajo është vajza e vogël Tina, që merret edhe me efekte filmike dhe për këtë ndihem shumë i lumtur dhe krenar.

-Çfarë ju mungon më shumë nga Kosova?

N. Salihu: Më duhet të flas shumë për Kosovën time të bukur. Atje u rrita dhe më besoni se ndiej mungesë të madhe për vendin tim. Çdoherë që bëj vizita nëpër Kosovë, e ndiej atë freskinë dhe kënaqësinë e vendit, traditat e popullit tim të dashur, që me të vërtetë më kthen pas në kohë për në viset e vendlindjes. Kam mall për gjakun e të parëve, për vendin ku linda.

-Një komunikim që ju ka ndryshuar rrjedhën e jetës?

N. Salihu: Për pjesën e komunikimit, mund t’ju them se ka pasur të shumtë në numër. Kur kam marrë mirënjohje në Europë dhe në SHBA, dy nga ato janë më të veçantat që nuk do t’i harroj kurrë. E para, kur kam marrë lajmin që do të shkoj në SHBA dhe e dyta, kur jam diplomuar në master si “Hairstylist” në vitin 2000 e për të vazhduar me shumë befasi të tjera, që ma bëjnë edhe më të veçantë punën e jetën natyrisht.

-Koha më e përshtatshme për të hequr dorë nga gjithçka?

N. Salihu: Mund t’ju them se do ta kem shumë të vështirë që të heq dorë nga profesioni im, nga filmi dhe TV që merrem çdo ditë. Lus Zotin që të kem shëndetin edhe të mos ndalem në realizimin e punëve sa më produktive dhe të bukura. Sa i përket punës sime, lodhje për të nuk kam kurrë.

{gallery}