Edhe Diana Ross e mbron Jacksonin: Ai është ende madhështor për mua

Edhe Diana Ross e mbron Jacksonin: Ai është ende madhështor për mua

25 March 2019 18:16

Diana Ross (74) është edhe një tjetër personalitet i famshëm që e mbron Michael Jacksonin, pasi që Barbara Streisand (76) i tërhoqi deklaratat që lanë të kuptohet se me dashuri të shprehur i miraton sjelljet e këngëtarit të ndjerë, raporton gazeta britanike “Independent”.

Ross i postoi të shtunën pasdite disa mesazhe në Twitter. Në mesin e tyre janë tekstet e këngëve të saj. Këngëtarja shkroi edhe se do të vazhdojë ta mbështesë mikun e saj të ndjerë.

“Këtë e kam në mëngjes në zemër. Besoj fuqimisht se Michael Jackson ka qenë dhe ende është madhështor dhe forcë e mahnitshme, si për mua ashtu edhe për shumë të tjerë”, – ka shkruar Ross duke e shtuar me shkronja të mëdha rreshtin nga një prej këngëve të saj: "Stop in the name of love" (Ndaloni në emër të dashurisë).

Ross dhe Jackson ishin shumë të afërt gjatë jetës së këngëtarit. Miqësia e tyre filloi në vitet shtatëdhjetë, në kohën e popullaritetit më të madh të shtëpisë amerikane diskografike Motown, dhe zgjati deri në vdekjen e tij në vitin 2009. Në memoaret e tij Jackson shkroi se Diana Rossin "ai e konsideronte nënë, zonjë dhe motër". Në testament ai e caktoi atë si kujdestare të dytë të tre fëmijëve të tij, shkruan KOHA Ditore.

Streisand e tronditi publikun pasi që foli në dokumentarin "Leaving Neverland" në lidhje me Michael Jacksonin dhe thashethemet gjithnjë e më të zhurmshme rreth pedofilisë së tij. Ajo iu referua deklaratave të Wade Robinson (36) dhe James Safechuck (41).

“Mund të thuhet se ata ishin ‘të keqtrajtuar’, unë u besoj, por këta fëmijë, siç e dëgjuat edhe vetë, ishin të mahnitur që ishin atje. Sot ata të dy janë të martuar dhe kanë fëmijë, kështu që shoqërimi me Michaelin nuk i ka mbytur”, - tha Streisand, duke i shokuar lexuesit e gazetës “The Times of London” me deklaratën bizare, por ajo nuk ndaloi me kaq.

“Nevojat e tij seksuale ishin nevojat e tij seksuale, të shkaktuara gjenetikisht apo nga fëmijëria çfarë e kishte. Më vjen keq për fëmijët, më vjen keq për të, por i fajësoj prindërit që i lejuan fëmijët të flinin me të”, tha ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme