Showbiz

Adashi i Jacksonit kërkon para: Më vjen turp, nuk mund të punësohem

Descriptive Text

Në kulmin e famës, Michael Jackson kishte miliona adhurues në mbarë botën. Njëri prej tyre ishte John Lomas i cili ishte aq i fiksuar me mbretin e popit sa që e ndryshoi emrin e vet në John Michael Jackson disa vjet më parë. Gjithashtu, 38-vjeçari britanik i shpenzoi më shumë se 1.23 milionë dollarë në suvenire të dedikuara mbretit të popit, dhe edhe vetë e kishte pranuar se si adoleshent ishte krejtësisht i çmendur pas tij.

“Gjatë fëmijërisë sime kisha shumë obsesione. Një prej tyre ishte obsesioni me Michael Jacksonin”, - tregon John i cili aktualisht punon në fabrikë dhe po mbledh para për ta kthyer emrin e tij origjinal, shkruan KOHA Ditore.

“Para disa vitesh shkova në Los Angeles dhe atje e ndryshova emrin tim në Michael Jackson. Tani do të doja ta ktheja për shkak se gjatë gjithë kësaj kohe kisha probleme me punësimin, sidomos pas daljes së dokumentarit ‘Leaving Neverland’”, - shpjegon 38-vjeçari dhe shton se ishte verbërisht i çmendur pas mbretit të popit gjatë gjithë këtyre viteve.

Pavarësisht se gjatë 25 viteve të fundit e ka shpenzuar një sasi mbresëlënëse parash në suvenire, udhëtime dhe albume, John aktualisht po i mbledh rreth 160 dollarë për ta kthyer emrin në John Lomas. Gjithashtu, ai e filloi fushatën Crowdfunding dhe kërkoi donacione nëpërmjet internetit për ta realizuar dëshirën e tij sa më parë.

“Vetëm dua ta lë të gjithën prapa vetes, nuk mund ta kem më këtë emër. E dua një fillim të ri”, - tha John për të cilin kjo nuk është hera e parë që e ka ndryshuar emrin. Ai e ndryshoi emrin e tij për herë të parë në vitin 1999 kur ishte i fiksuar me bendin “The Beatles”. Ai e kishte marrë emrin e frontmanit të famshëm John Lennon.

Tetë vjet më parë, John u diagnostikua me sindromën e Aspergerit, e karakterizuar me vështirësitë e ndërveprimit social dhe në interesimet dhe aktivitetet e kufizuara stereotipike, duke rezultuar në varësi të forta dhe obsesion ndaj njerëzve.