Showbiz

Natalie Portman fiton urdhër ndalese ndaj “John Wick” telepatik

Natalie Portmanit i është miratuar kërkesa për një urdhër ndalese kundër një ndjekësi të dyshuar që e quan veten John Wick.

Aktorja i thirri autoritetet pasi që njeriu, i cili nuk është identifikuar publikisht, njoftohet se kishte hyrë në pronën e saj të rrethuar në Los Angeles më 31 janar dhe u shfaq në derën e saj të përparme.

Një raport i policisë për incidentin, i siguruar nga “The Blast”, thotë: "Personi i kishte rënë interkomit/ziles disa herë, por nuk tha asgjë kur u komunikua me të", shkruan KOHA Ditore.

Kur policët u shfaqën për të hetuar, ata u përballën me një ndërhyrës, i cili tha se quhej John Wick - i njëjti emër i përdorur nga karakteri i vrasësit të luajtur nga Keanu Reeves në filmin e vitit 2015 me po të njëjtin titull.

Megjithatë, policët e gjetën një patentë shoferi të Kolorados në posedim të tij, e cila ua siguroi atyre identitetin e tij të vërtetë dhe më pas e vendosën atë në arrest mendor pasi që u tha policëve se "kishte folur disa herë me personin raportues (Natalie Portman), telepatikisht, dhe se kishte udhëtuar nga Kolorado në Los Angeles për ta takuar atë".

Ndërkohë, Portman ngriti padi duke kërkuar urdhër të përkohshëm të ndalimit në gjykatë, të mërkurën, dhe tani propozimi i saj është miratuar.