Një kërcim për paqen me Arta Dobroshin

Një kërcim për paqen me Arta Dobroshin

21 shkurt 2019 09:22

Ti na bëre të kërcenim të gjithë! – i them aktores Arta Dobroshi.

Ajo qesh.

– Atëherë do doja ta fotografoja për mua kërcimin tuaj, – vazhdoj unë.

– Me gjithë qejf, – përgjigjet ajo dhe u tërhoq në sfondin e bukur të asaj salle në “Hôtel Raphael”, ku ishim mbledhur për të festuar festën e Kosovës.

Ambasadori i Kosovës, Qëndrim Gashi na foli për surprizën e tij në këtë ceremoni, për praninë aty të aktores së famshme Arta Dobroshi, këtë Ambasadore të Paqes, e cila përreth asaj salle kishte vendosur fotografi të rinjsh anonimë që bënin një kërcim për Paqen. Thjeshtë një kërcim. Një kërcim i bukur. Do donim të kërcenim kështu për Paqen gjithë jetën.

– Atëherë ti do numërosh deri në tre dhe unë do hidhem! – më thotë ajo ëmbëlsisht.

Dhe kështu tërhiqet pranë flamurit të Kosovës.

– Një, dy, tre! – dhe unë fotografoj atë kërcim ajror.

Është i bukur ky kërcim, kjo zgjatje e trupit në kërkim të diçkaje sublime, ajrore, nuk është divine, por shumë tokësore, pasi Paqja është thirrje, klithmë, nanuritje, ç’të duash, veçse dëshirë për një botë më të mirë dhe pa luftë. Nga vjen kjo thirrje?- mendon dikush… Dhe përgjigja është vetë në emrin e saj. Ajo vjen nga Kosova. Vjen nga lufta dhe mizoria. Vjen nga klithma e madhe e lirisë dhe e paqes.

Po, është magjike ta shohësh këtë kërcim paqeje këtu, dy hapa nga Sheshi i Harkut të Triumfit, dy hapa nga ajo sallë ku u firmos dokumenti i Rambujesë. Ja pse fluturimi i saj kishte shumë hire, përtej hireve të trupit dhe zemrës së një vajze, të një gruaje.

Eja të kërcejmë sërish e dashur! A mund ta prekim paqen?

Motra religjioze Edith, në dejet e së cilës ka shumë dashuri e përkushtim shqiptar, ka një ngazëllim të madh. Ato shkëlqejnë nën rrezet e atij dielli të bukur që depërtojnë aty, nga cepi i Harkut të Triumfit. Ngazëllehen pasi shumë vite më parë, kur Arta ishte një vogëlushe, ajo e kishte parë në oborrin e gjyshes së saj, atje në Kosovë. Sa pikëtakim i bukur ta gjejë sërish këtu dhe për më tepër me një kërcim të tillë. Do të donte padyshim që ky kërcim të mos mbaronte kurrë.

Eja të vallëzojmë e dashur, me atë trup të bukur sikur të kërcejë vetë Kosova. Shoh Artën dhe ndjej dehjen e saj. Ja çdo të thotë të dehesh pas shumë mizorish, vdekjesh, humbjesh. Nuk ishte diçka nga përrallat. Ishte një e vërtetë klithëse.

Eja të kërcejmë e dashur, Kosovë e dashur, në këtë dans të Paqes. Të gjithë do të na ndiqnin nga pas.

Arta Dobroshi vazhdon kërcimin e saj përmes artit, forcës së saj aktoriale në shumë nga skenat e botës. Ka një energji të jashtëzakonshme në vështrimin e saj, në atë gjoks të hapur si një Marianë franceze të kohës së Revolucionit dhe të kohërave moderne. Ti je një Marianë e dashur, mërmëris nën zë, një Marianë e Kosovës.

E imagjinoj atë zemër, e ndjej atë puls. Ç’gëzim për një vajze si ajo. Ç’gëzim për një Kosovë që feston Pavarësinë e saj në tokën e Francës, ç’gëzim kur një natë më parë flamuri i Kosovës ishte shpalosur atje në Harkun e Triumfit, pranë flakës së varrit të Ushtarit të Panjohur. Martirët pikëtakohen gjithnjë.

Arta Dobroshi nuk e kishte imagjinuar se një ditë flamuri i vendit të saj do të shpalosej atje ku ishte ngritur flamuri për Hygonë, ai flamur që e kishte mbuluar arkivolin e tij për ta shoqëruar gjer në portat e Panteonit. Nuk e kishte imagjinuar aty nën dritën e flakëve që shndrisnin, në atë flakë të përhershme që na kujton gjithnjë martirët e Francës, të Kosovës, të mbarë botës.

Eja të kërcejmë sërish e dashur. Dua që ky dans të mos reshtë kurrë!…Luan Rama/ Gazeta Shqiptare.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme