James Cameron gati e kishte goditur Harvey Weinsteinin me “Oscarin” e “Titanikut”

20 February 2019 18:27

Regjisori James Cameron gati e kishte goditi Harvey Weinsteinin me statujën e tij të “Oscarit” gjatë një grindjeje në ceremoninë e “Oscarit” në vitin 1998.

Regjisori i filmit “Titanic” insiston që sikur drejtuesit e “Oscarit” të mos e kishin lutur atë që të kthehej në vendin e tij pas një pauze reklamash, ai do ta kishte sulmuar manjatin e turpëruar të filmit për mënyrën se si ai dhe partnerët e kompanisë së tij të produksionit në Miramax e kishin trajtuar mikun e tij Guillermo del Toro gjatë xhirimit të filmit të tij “Mimic”.

Për ironi, në filmin e vitit 1997 luan Mira Sorvino, një nga aktoret e shumta që e akuzoi Weinsteinin për sulme dhe/ose ngacmime pas ekspozimit të New York Times ku tregohen detajet e sjelljes së tij abuzuese gjatë dekadave, shkruan KOHA Ditore.

Në një intervistë të re me Vanity Fair, Cameron e kujtoi problemin duke shtuar, "Harvey m’u afrua duke folur përzemërsisht për mua, duke thënë se sa i mrekullueshëm është ‘Oscari’ për artistin, dhe unë vetëm ia lexova kapitullin dhe rreshtin se sa i mrekullueshëm mendova unë se ai ishte për artistin, bazuar në përvojën e mikut tim dhe kjo çoi në grindje”.

"Muzika kishte filluar si shenjë për t'u kthyer në ulëset tona dhe njerëzit rreth nesh thoshin: 'Jo këtu! Jo këtu!' Sikur të ishte në rregull të përlesheshim në parking, por nuk ishte në rregull atje kur muzika po luante - dhe ata do ta fillonin transmetimin e drejtpërdrejtë".

Duke e kujtuar situatën, Cameron shpesh mendon se duhej ta kishte goditur Weinsteinin, duke u tallur se ka shumë njerëz në Hollywood "që do të kishin preferuar që ta kisha bërë këtë."

Weinstein është akuzuar për ngacmim dhe/ose sulm seksual nga më shumë se 50 femra dhe aktualisht është nën hetime nga departamente të shumta të policisë. Ai e ka mohuar çdo akuzë për seks jokonsensual.

Producenti u përjashtua nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave Filmike vitin e kaluar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme