Joan Collins në bisedime për filmin rreth jetës së saj

Joan Collins në bisedime për filmin rreth jetës së saj

19 shkurt 2019 20:35

Joan Collins është në fazat e negociatave për ta sjellë një film në lidhje me jetën e saj të shkëlqyeshme hollivudiane në ekranin e madh.

Aktorja e American Horror Story e ka pasur një karrierë të suksesshme shtatëdekadëshe me rolin e saj të parë të madh si Norma Hart në filmin e vitit 1952, “I Believe in You”.

Ajo vazhdoi të bëhej një yll hollivudian, duke interpretuar së bashku me Bette Davis në “The Virgin Queen” (1955), përpara se të bëhej emër i njohur si personazhi ikonik i viteve '80, Alexis Carrington Colby, në dramën amerikane Dinasty, duke e luajtur rolin për tetë vjet, shkruan KOHA Ditore.

Derisa Collins ka zbuluar se diskutimet janë në vazhdim e sipër për filmin, ajo nuk ka dashur të zbulojë detaje të tjera.

"Është në negociata të thella", zbuloi ajo gjatë turneut të saj aktual, ‘Joan Collins: Unscripted’. "Por nuk mund të them më shumë se kaq".

Ylli i “Benidorm” tha se po diskutohen planet për filmin ku do të luajnë dy aktore në rolin udhëheqës.

"Duhet të jenë dy", tha 85-vjeçarja. "Një që do të më luajë mua kur jam 25 vjeçe, dhe pastaj një tjetër".

Collins, e cila e filloi karrierën e saj teatrale në moshën nëntëvjeçare, gjithashtu këmbëngul se dëshiron që "dikush nga Akademia Mbretërore e Artit Dramatik (RADA)" ta luajë atë, meqë edhe ajo kishte vijuar këtë shkollë prestigjioze në vitet e para.

Ajo ishte gjithashtu e hapur ndaj sugjerimit që Emily Blunt do të mundë ta merrte rolin.

Megjithatë, kur bashkëshorti Percy Gibson, 54 vjeç, ia propozoi asaj Catherine Zeta-Jones, Collins nuk dukej se e aprovonte këtë.

"Nuk do të them asgjë", qeshi ajo. "Pyetja tjetër".

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme