Glenn Close e do ribërjen e “Fatal Attraction” nga këndvështrimi i karakterit të saj

Glenn Close e do ribërjen e “Fatal Attraction” nga këndvështrimi i karakterit të saj

12 February 2019 18:15

Glenn Close, favorite e “Oscarit”, është duke e udhëhequr një fushatë të re për rimejkun e trilerit të viteve 1980 “Fatal Attraction” nga perspektiva e karakterit të saj, Alex Forrest.

Ylli i “The Wife” këmbëngul se koha është e përkryer për ta rishqyrtuar filmin e Adrian Lyne nga viti 1987, në të cilin karakteri i aktores u bë e obsesionuar me shkatërrimin e jetës së karakterit jobesnik të Michael Douglas, Dan Gallagher, ndërkohë që ai përpiqet ta ndërpresë aferën.

"Fatal Attraction ishte një film që e preku nervin në mes të gjinive," thotë Close për Deadline. "Kemi shkuar përsëri në Paramount për ta zbuluar se si mund ta bëjmë një film të ri, sepse ata i zotojnë të drejtat. Mendoj se kishin përgatitur diçka, por mendoj se do të ishte interesante ta merrnim ngjarjen e saktë në thelb, dhe ta bëjmë atë nga këndvështrimi i saj (Forrest).

"Mendoj se ajo do të ishte një figurë tragjike, dhe jo e perceptuar si një figurë e keqe".

Karakteri i çmendur i Close, i cili në një skenë e gatuan lepurin i cili është kafshë shtëpiake e familjes filmike të Douglas, do të paraqitet më shumë si viktimë në filmin e riimagjinuar të yllit.

"Është shumë lehtë t’i bësh njerëzit, të cilët me gjasë e kanë një diagnozë mendore, antagoniste, pra t'i bësh ata njerëz të këqij", shton Close. "Dhe kjo vetëm e ushqen stigmën. Por mendoj se do të ishte interesante. Do të ishte shumë tronditëse ta bësh nga këndvështrimi i saj", transmeton Koha.net.

Close është ndër favoritet kryesore për ta fituar “Oscarin” për aktoren më të mirë, për rolin e saj si Joan Castleman në “The Wife”, pasi që e fitoi çmimin në “Screen Actors Guild Awards” dhe “Golden Globes”.

Nëse e fiton “Oscarin” më 24 shkurt, ky do të jetë i pari saj - ajo është aktualisht personi më i kandiduar në historinë e Akademisë pa asnjë fitore, me shtatë kandidime.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme