29-vjeçari italo-egjiptian fiton Sanremon, polemika në Itali

29-vjeçari italo-egjiptian fiton Sanremon, polemika në Itali

11 February 2019 08:57

Edicioni i 69-të i festivalit italian të Sanremos u fitua këtë herë nga një 29-vjeçar italo-egjiptian. Prejardhja e tij gjysmë myslimane ka shkaktuar jo pak polemika, por ka patur edhe nga ata që kanë përshëndetur ndërthurjen e kulturave. Vetë fituesi u shpreh se ndihej 100 % italian.

Është Mahmud, djaloshi italo-egjiptian, fitues i edicionit të 69-të të festivalit italian të këngës Sanremo. Ka qenë një fitore suprizë, edhe pse 27-vjeçari me këngën e tij “Para’” ndodhej në treshen e finalistëve bashkë me këngëtarin Ultimo dhe grupin Il Volo, që konsideroheshin favoritë.

Kënga e Alessandro Mahmud, me nënë italiane dhe baba egjiptian, flet nën tingujt e muzikës rep për fëmijët e rritur në periferi, për varfërinë dhe rolin e prindërve. Në prononcimin e tij për mediat, djaloshi tha se ndihej 100 për qind italian.

“Nëna ime është nga Sardenja, ndërsa babai egjiptian. Por unë kam lindur dhe jam rritur në Itali”, iu përgjigj ai kujt kishte ngritur polemika. Dhe në fakt, kontestimet nuk munguan. Ato filluan menjëherë në plate dhe në sallën e shtypit menjëherë pasi u njoftua klasifikimi final. Nuk mungoi edhe reagimi skeptik i zëvendës kryeministrit Mateo Salvini.

“Kjo ishte kënga më e bukur??? Unë do kisha zgjedhur dikë tjetër”, tha ai në Twitter. Por këtë herë numri dy i qeverisë italiane hasi në kundërshtimin e ish-partneres së tij, prezantueses televizive Eliza Izoardi. “Mahmud sapo fitoi festivalin e Sanremos. Tregues se bashkimi i kulturave të ndryshme gjeneron bukuri”, u shpreh ajo në profilin e saj. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe analisti i njohur i shtypit italian, Aldo Kaculo.

“Duhen më shumë si Mahmud, që është shembulli i integrimit që pasuron vendin”, shkroi ai në një artikull të “Corriere della Sera”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme