Showbiz

“Fast and Furious 8” ende dominon në kinematë botërore

Ka vetëm dhjetë ditë që është në kinema dhe “Fast and Furious 8” tashmë e ka inkasuar një fitim prej rreth 910 milionë dollarësh në mbarë botën!

Vazhdimi më i ri i franshizës së preferuar e ka një profit solid në tregun amerikan (aktualisht duket se nuk do të fitojë sa paraardhësi), por, megjithatë, veçohet nga pjesa tjetër e botës ku deri në fund të fundjavës i fitoi gati 750 milionë dollarë, transmeton “Koha Ditore”.

Në Kinë aktualisht ka të hyra prej 318 milionë dollarësh dhe tani për tani është filmi i dytë amerikan me të hyrat më të mira, menjëherë pas paraardhësit të tij, “Furious 7”.

Ndër tregjet e tjera të mëdha ndërkombëtare, sipas BoxOfficeMojo, fundjavën e kaluar ishin Meksika me 29.9 milionë dollarë, Britania e Madhe dhe Irlanda me 29.3 milionë, Brazili me 26.2 milionë, Gjermania me 24.4 milionë dhe Rusia me 23,4 milionë dollarë. Tregu i ardhshëm i madh që do ta pushtojë filmi është Japonia, ku do të shfaqet më 28 prill.

Filmi u bë me regji të F. Gary Gray, ndërsa në të luan ekipi i famshëm: Vin Diesel, Dwayne Johnson, Jason Statham, Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Chris Ludacris Bridges, Scott Eastwood, Nathalie Emmanuel, Elsa Pataky, Kurt Russell dhe Charlize Theron.

Të premten i kemi mësuar datat e premierës për filmin e nëntë dhe të dhjetë dhe se yjet më të mëdha do t’i përsërisin rolet.