Showbiz

Hitet e vitit 2018 në tregun e muzikës shqip

Viti 2018 është karakterizuar me prurje të shumta në tregun e muzikës shqip, nga veteranë të kësaj pune si dhe shumë këngëtarë të rinj.

Një vëllim të konsiderueshëm të këngëve dhe vëmendjes e ka marrë muzika rep, me këngë të shumta nga meshkujt, por me betejën kryesore te femrat, me Taynën e Rinën dhe shumë të tjera që luftuan artistikisht në distancë.

Fillimviti ishte i theksuar për Elvana Gjatën e Fifin, “Më Fal”, “Gjërat kanë ndryshuar”, e “Nanush 2”, ishin disa prej hiteve që morën vëmendjen më të madhe.

“Pasha Jetën”, e Capital T dhe Majk ishte kënga tjetër që u publikua në muajt e parë të vitit dhe një nga më të dëgjuarat e 2018-s, me afro 30 milion klikime.

Me një stil të veçantë, vëmendje mori edhe Argjentina me “A ma jep”, këngë që bëri vendin e saj të suksesit.

Tutje, Ardian Gaxha dhe Onat – Mozzik me “Madam”, Rina e Fero me “S’ka konkurrencë”, e kombinimi i befasishëm Dani e Yll Limani me “S’ka Dashni”, e patën primatin e klikimeve dhe dëgjueshmërisë në prill.

Gheto Geasy me Flori Mumajesin, “Dashni me raki”, i parapriu verës dhe tani ka mbi 40 milionë klikime, një këngë tjetër që pushtoi tregun shqip të muzikës.

Në këtë periudhë, pati një shpërthim të radhës edhe Butrit Imeri me “Mon Cheri”.

Vera ishte me shumë angazhime për yjet e estradës, por edhe me shumë këngë të sezonës.

Elvana me “Ku vajti”, pati shumë sukses, ndërkaq bashkëpunimi me Ledrin e Johnin me këngën “Mike”, ishte një nga kryeveprat e verës.

Tutje, Dhurata Dora me “Jake Jake”, Capital Ti me “O ma”, Dafina me Lumi B me këngën “Kalon” , Gjiko e Skerdi me “Bugati”, ishin të tjerë të suksesshëm.

Por, shpërthimin e pati Tayna dhe Don Phenom me “Columbiana”, kënga ikonë e verës që u hapi rrugë dy artistëve të ngjiten lart në industrinë e muzikës.

Vera ishte për t’u theksuar edhe për Tunën, që u rikthye pas një pauze me hitin “Chonga”.

Pjesa e fundvitit pati vazhdimësi të të suksesshmëve të muajve paraprakë.

Majk tani realizoi bashkëpunim me Yll Limanin me “Krejt t’i fala”, kënga për dashurinë që depërtoi thellë.

Buta me shumë hite nga albumi i tij vjeshtë – dimër, e pati vendin e vet në këtë pjesë të vitit me shumë hite.

Tayna vazhdoi me suksese, tani me “Doruntinën”.

Ngritje dhe jo vetëm në tregun ku flitet shqip, arritën Mozzik e Loredana, me Bonnie & Clyde, që u shëndrua në hit në top-listat gjermane dhe jo vetëm.

Kida me “Merri krejt”, ishte një tjetër këngëtare që, veç shumë këngëve gjatë vitit, la shenjë edhe në fundvit.

Noizy me Dafina Zeqirin “A don love?”, pati një dëgjueshmëri të madhe, duke e vulosur edhe kthimin e Dafina Zeqirit në tregun shqipfolës.

Majk me “Qikita”, solli ritëm veror në dimër, ritëm identifikues nga Majk.

Gheto Geasy – Flori e Bruno, Fifi e MC Kresha e Fifi me “Psikopaten”, Majk e Onat me “Thirri dajt”, ishin hitet e tjera që e mbyllën 2018-n.

E që në janar të 2019-s, yjet e muzikës kanë paralajmëruar shumë projekte të reja, për t’u parë e dëgjuar se a do ta kenë suksesin e vitit paraprak.