Showbiz

Schumacher mbush 50 vjeç, mes mistereve mbi gjendjen shëndetësore

Nuk ka shumë arsye për të festuar 50-vjetorin e Michael Schumacher këtë 3 janar, por shpresa i ka shtyrë të gjithë të vazhdojnë kërkimet e të këmbëngulin në një përmirësim të gjendjes së tij shëndetësore.

E derisa të gjendet një shenjë më optimiste për vazhdimësinë e jetës së tij, bota e automobilizmit dhe e Formulës 1, në këtë fillim viti ka kujtuar gjithçka ka bërë legjenda gjermane e F1-shit, transmeton tch.

Tashmë kanë kaluar 5 vite nga aksidenti i rëndë që i ka dëmtuar trurin dhe ende nuk dihet asgjë saktësisht se çfarë ndodh në rezidencën e tij gjigante pranë liqenit të Gjenevës. Atje është transferuar që nga shtatori i vitit 2014, e sa herë që ndokush interesohet, përgjigjja e familjes së tij është:

“Të jeni të sigurë që është në duar të sigurta dhe të gjithë po bëjnë maksimumin e mundshëm për ta ndihmuar. Ju lutem të respektoni privatësinë e kësaj situate kaq të ndjeshme, që lidhet me problemin shëndetësor të Michaelit”.

Gjithçka ndodhi kur ai po bënte ski, së bashku me të birin e tij Mick, në Meribel të alpeve franceze. Schumacher u rrëzua më 29 dhjetor të vitit 2013, e gjatë rënies goditi kokën në një gur, në krahun e djathtë ku helmeta e tij ishte e hapur. Doktorët në Grenoble bënë maksimumin për të reduktuar hemorragjinë, por mpiksja e gjakut kishte kaluar thellë në tru.

Janë të shumta historitë që e rrethojnë dhe spekulimet për gjendjen e tij, por gjithçka mbetet hermetike përballë kujtdo; tifozëve, kolegëve të tij, e gjithkujt që ka pasur interes për të mësuar më tepër.

Në këtë 50-vjetor të tijin, familja ka bërë të ditur nëpërmjet një komunikate për shtyp, krijimin e një aplikacioni që është një lloj muzeu virtual për karrierën dhe të gjitha arritjet e Michael Schumacher.

“Ky është një moment i veçantë dhe historik për familjen tonë, për të nderuar Michaelin dhe për të respektuar fansat e tij në këtë përvjetor të rëndësishëm”, shkruhet në komunikatën për shtyp.

Në këtë program shfaqen garat e fituara nga ai, titujt kampion dhe gjithçka ka rrethuar Michael Shumacherin në karrierën prej piloti. Ndërkohë, ish-skuadra e tij Ferrari, në këtë ditë të 50-vjetorit ka hapur një muze special në Maranello, në zyrat qëndrore të kompanisë në veri të Italisë.