Showbiz

Artistët shqiptarë, pjesë e gjigantëve muzikorë

Këngëtarë të shumtë shqiptarë ka kohë që po bëjnë hapa tutje për ta zhvilluar karrierën e tyre muzikore në arenën ndërkombëtare. Se kush janë artistët tanë, të cilët kanë firmosur me disa prej kompanive të mëdha muzikore botërore, mund ta lexoni në artikullin e përgatitur nga Express në KTV.

Artistë të shumtë shqiptarë kohët e fundit kanë nisur të bëhen pjesë e kompanive të famshme muzikore evropiane.

Vargut të gjatë të artistëve që janë nën menaxhim të gjigantit muzikor “Sony Music”, me seli në Londër u janë bashkuar edhe tri këngëtare, të cilat krijuan hite në tregun muzikor vendas.

Era Istrefi është artistja e parë vendase që ka nënshkruar vitin e kaluar kontratë në vlerë prej 1.5 milion dollarëve me këtë industri të muzikës.

E cilësuar si një këngëtare e veçantë, Era nën menaxhimin e “Sony Music”, realizoi këngën “Redrum” të cilën e publikoi në fund të muajit shkurt.

Dy anëtaret e labelit “On Records”, Baby G dhe Kida, kanë bërë hapat e parë për ta zhvilluar karrierën e tyre muzikore në skenën ndërkombëtare.

Këngëtarja shqiptare, Baby G së fundi ka konfirmuar se ka nënshkruar marrëveshje me shtëpinë diskografike, Sony Music Entertainment, gjersa Kida të shtunën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, performoi premierë bashkëpunimin me DJ e njohur francez Hcue (ASHKJU) “Don’t say no more”, kënga e parë pas nënshkrimit të kontratës me WatiB dhe SonuMusic.

Lideri i labelit “OTR”, Noizy, është reperi i parë shqiptar që ka firmosur me kompaninë muzikore të njohur në Zvicër, “Universal Music Group”.

Kjo kontratë e Noizyt, sipas raportimeve të mediave do të jetë funksionale në të gjitha shtetet e botës.

Edhe mikja e Noizyt, Enca që nga janari i këtij viti tashmë është pjesë e kompanisë muzikore zvicerane.

“Love on my body” është kjo kënga më e re e Encës të cilën e ka realizuar në kuadër të “Universal Music Group”.

Artistë të shumtë të cilët kanë lënë gjurmë më hitet e tyre në muzikën shqiptare janë duke synuar ta zhvillojnë karrierën në arenën ndërkombëtare.

Elvana Gjata, Bleona Qereti, Dafina Zeqiri janë disa prej këngëtareve tona të cilat po bëjnë përpjekje të zënë vend në skenën botërore.