Showbiz

“Agjenti 007” – kurrë femër

James Bond nuk do të jetë kurrë femër dhe këtë e pohon producentja ekzekutive e serisë së filmave të famshëm.

Barbara Broccoli, që është në krye të kastit të “007”, thotë për the Guardian se “Bond është një mashkull dhe se është një karakter mashkullor, roli është i shkruar për një mashkull dhe unë mendoj se i tillë do të qëndrojë”.

“Nuk kemi përse t’i kthejmë karakteret mashkullore në femra”, thotë ajo.

Ylli aktual i serisë Bond, Daniel Craig ka sugjeruar se filmi i radhës që do të dalë në kinema në 2020-ën, do të jetë i fundit i tij si “007”. Idris Elba është përmendur më parë si një nga pasuesit në rol, pasi vetë ai postoi në Twitter një mesazh që e la të kuptohej një gjë të tillë, transmeton tch.

Të tjerë ndërkohë kanë aluduar se “007” e radhës mund të jetë një grua. Sidoqoftë, 58-vjeçarja Broccoli, thotë se në vend që të bëhet lobim për një James Bond femër, të gjithë ata që punojnë në industrinë e filmit duhet të punojnë për të krijuar më shumë karaktere femërore dhe për t’i bërë historitë të përshtatshme për to.

Babai i saj, Albert Broccoli, ka prodhuar më herët shumë filma të serisë Bond, dhe ka shfaqur më herët mbështetje për femrat që punojnë në industrinë e filmit.

Xhirimi i skenave të Bondit të ri do të nisë më 4 mars dhe filmi do të dalë në kinema në shkurt të 2020. Filmi i fundit i serisë së famshme, “Spectre”, doli në 2015.