Showbiz

Ish-gruaja rrëfen jetën me Prince

Njëmbëdhjetë vjet jetë me Prince në një libër. Në më pak se një vit nga përvjetori i vdekjes së artistit që vdiq nga një mbidozë ilaçesh në 21 prill 2016, ish gruaja e tij Matye Garcia zbulon detaje intime nga martesa e tyre në librin “The Most Beautiful: My Life With Prince’ (Më e bukura, jeta ime me Prince).

Titulli merr frymëzim nga një nga sukseset e Prince në 1994 ‘The Most Beautiful Girl in the World’. Garcia, 43 vjeç, ishte 16 vjeç, kur Prince e vuri re në një video, ndëra kërcente në një koncert të tij.

Ylli i popit nuk mbeti indiferent dhe e ftoi në skenë . Mes të dyve kishte një diferencë moshe prej 15 vitesh , por pavarësisht kësaj më parë lindi miqësia , pastaj bashkëpunimi në punë derisa u kthye në dashuri kur ajo mbushi 19 vjeç.

Të dy u martuan kur ajo mbushi 22 vjeç dhe dy muaj më pas mbeti shtatzënë. Gëzimi për lindjen e fëmijës, i quajtur Amiir, (Princ në arabisht) u shua shpejt sepse fëmija ndërroi jetë vetëm gjashtë ditë më pas, për shkak të një keqformimi gjenetik.

Ishte pikërisht vdekja e fëmijës, siç tregon Garcia, që shkaktoi fundin e martesës në 2000 pas katër vitesh.

“Kisha filluar të shkruaj këtë libër vite më parë, doja të kujtoja vetëm fëmijërinë time. Por mbi të gjitha pas martesës me Prince njerëzit fillonin të më thoshin të shkruaj një libër sepse pata një jetë të çmendur”, thote Garcia.

Kur vdiq, vazhdon ajo, ndjeva nevojën ta bëj sepse e di që shumë persona do të dalin me libra e histori , por asnjë si e imja.

Në libër thuhet se Prince nuk e mori veten nga vdekja e djalit, e në fillim reagoi me zemërim. Në një moment gjeniu i Minneapolis i kërkoi një asistenti të tij të digjte gjithçka në shtëpi që i kujtonte fëmijën dhe Garcia.

Garcia në fund shkruan se Prince ka shkruar edhe një testament. Ishte ajo vetë që ia kërkoi pas lindjes së fëmijës. “Por nuk e di nëse ekziston ende, ndoshta edhe ka kërkuar që ta shkatërroj”.