Showbiz

Këngëtarët që i munguan skenës në këtë sezon

Descriptive Text

Gjatë muajve të parë të vitit, veçanërisht në muajt e nxehtë të verës, këngëtarët shqiptarë kanë publikuar një numër të madh projektesh muzikore, shumica prej të cilave u pritën mirë nga adhuruesit e muzikës në vend.

Përkundër këtij fakti, ka edhe këngëtarë që nuk kanë sjellë ndonjë këngë apo videoklip gjatë këtij sezoni veror, transmeton emisioni Express Summer në KTV.

E nisim me një nga këngëtaret, që njihet për bukurinë e saj, Leonora Jakupi, e cila jo vetëm në sezonin veror por gjatë tërë vitit nuk është se u pa me ndonjë projekt muzikor. Paraqitjet e saj nuk munguan në programet e fundvitit, ndërsa “Pa dyshim” mbetet videklipi i saj i fundit, që u publikua vitin e kaluar.

Kaltrina Selimi është këngëtarja tjetër që nuk ka qenë shumë aktive me projekte muzikore. Kënga e saj e fundit erdhi në bashkëpunim me Alban Mehmetin, të cilët publikuan këngën me titull “Dashnia jem”. Por, Kaltrina viteve të fundit po i mungon estradës shqiptare, duke realizuar këngë shumë më pak në krahasim me vitet e kaluara. Një tjetër arsye e mungesës së saj në skenë është se, këngëtarja ka zgjedhur që të jetë më e pranishme në mbrëmje muzikore dhe në dasma me këngë popullore. E, një tjetër arsye mund të jetë edhe familja e saj dhe përkushtimi ndaj djalit, Tristanit.

Një tjetër këngëtare, që nuk është shumë aktive në skenën muzikore është, Jonida Maliqi, e cila tashmë e një kohë është e përkushtuar në biznesin e saj, dyqanin e këpucëve. “N’Errësirë” është kënga e fundit që u publikua nga këngëtarja. Ndryshe, Jonida ka pasur ndryshime edhe në jetë personale duke i dhënë fund martesës disavjeçare me biznesmenin, Gent Prizreni, me të cilin këngëtarja e ka një djalë.

Ndryshe nga bashkëshorti i saj, Alban Skënderaj, i cili është më se aktiv në muzikë, këngëtarja Miriam Cani ka një kohë të gjatë që i mungon skenës muzikore. “Dhurata” është kënga e fundit që e solli në bashkëpunim me Albanin, 9 muaj më parë, një këngë dedikuar vajzës së tyre. Këngëtarja u ka munguar adhuruesve të saj gjatë këtij sezoni veror, dhe ndoshta gjatë muajve të ardhshëm mund të pritet një rikthim i saj në skenë.

Një tjetër këngëtare që nuk e pamë të pranishme në skenën muzikore dhe nuk do ta shohim për një kohë të gjatë është Zanfina Ismajli, e cila ka bërë të ditur se i është përkushtuar e gjitha profesionit të saj si juriste, për të cilin diplomoi gjatë këtij viti.

Fjolla Morina është një tjetër këngëtare që ka munguar me projekte të reja në këtë sezon veror. Ndryshe nga vitet e kaluara ku të paktën ishte e pranishme jo vetëm me videoklipe, por edhe në festivale të ndryshme, këtë vit nuk e publikoi asnjë këngë edhe pse kishte paralajmëruar se do të vijë në bashkëpunim me, Ingrid Gjonin, por që në fund ky projekt u anulua.

Pa dyshim se ka edhe një numër të madh të atyre që nuk ishin aktivë gjatë verës 2018 apo edhe prej atyre që publikuan këngë, por nuk po e gëzojnë ndonjë sukses të lakmueshëm.