Showbiz

Detajet e reja për vrasjen e reperit XXXTentacion

Janë zbuluar detajet e reja rreth vrasjes së reperit XXXTentacion.

Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Jahseh Dwayne Onfroy, është qëlluar për vdekje kur po largohej nga dyqani i motoçikletave në Broward County, Florida më 18 qershor.

Sipas një deklarate të cituar nga New York Times, detektivi John Curcio i zyrës së Sherifit të Browardit ka thënë se i dyshuari kryesor, Dedrick Williams, dhe bashkëpunëtori i tij e kanë ndjekur Onfroyn deri te dyqani i motoçikletave, transmeton Koha.net. Onfroy ka hyrë në Riva Motorsports në orën 3:30 pasdite të hënën. Dy minuta më vonë, Williams dhe një njeri tjetër dolën nga një SUV dhe ndoqën reperin brenda në dyqan.

Të dy burrat u larguan nga dyqani dhe dërguan veturën e tyre në daljen veriore të parkingut të dyqanit, përmes së cilës Onfroy deshi të dilte në orën 3:55. SUV-i bllokoi rrugën e tij dhe burrat, të veshur me maskë dhe të armatosur, pas një lufte të shkurtër qëlluan në reperin, sqaron Curcio.

Williams është identifikuar kur policia ka dërguar fotografitë nga pamjet e marra nga kamerat CCTV te njësitet patrolluese. Kur policia shikoi Instagramin e tij, gjetën se ai kishte postuar fotografi me veshje të njëjta – “sandalet e njëjta me ngjyrë portokalli”, përcjell Koha.net. Po ashtu, ai është identifikuar edhe nga punonjësit e Riva Motorsports.

Williams është arrestuar të mërkurën, më 20 qershor, dhe akuzohet për vrasje të shkallës së parë. Tani, ai po mbahet në paraburgim dhe do të dalë para gjykatës të hënën, më 25 qershor.

Ndërkohë, një ngjarje bamirësie do të mbahet nesër, më 24 qershor, në Florida si “dëshira e fundit e Jahsehit”. Ky njoftim është postuar në llogarinë zyrtare të reperit të mërkurën duke konfirmuar ngjarjen, me të cilën shpjegonte lajmin se ishte “postuar në emër të nënës së tij sa për informim”.