PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Njihemi me talentët e klubit të gjimnastikës “Kulina”

Gjimnastika është një nga aktivitetet më unike dhe emocionuese që fëmijët mund të praktikojnë. Lëvizjet e ndryshme që ka ky sport e bëjnë atë një ndër aktivitetet më të pëlqyera për fëmijë.

Me shumë pasion fëmijët e klubit të gjimnastikës “Kulina” po fillonin stërvitjen. Të gjithë filluan së bashku të bënin nxehjet dhe zgjatjet që nevojiten për këtë sport. Si në çdo sport tjetër, edhe gjimnastika kërkon që para ekzekutimit të elementeve, të bëhen zgjatje, në mënyrë që trupi të jetë i gatshëm për ushtrimet e shumta. Gjithashtu ato ndihmojnë shmangien e lëndimeve.

Gjimnastika është sport që përfshin ushtrime fizike, të cilat kërkojnë ekuilibër, forcë, fleksibilitet, shkathtësi, koordinim, përkushtim dhe qëndrueshmëri. Lëvizjet e përfshira në gjimnastikë kontribuojnë në zhvillimin e krahëve, këmbëve, shpatullave, shpinës, gjoksit dhe muskujve të barkut.

Pas zgjatjeve ishte koha për ushtrimet që ndihmojnë në përgatitjen e trupit për realizimin e elementeve. Të gjithë përsërisnin me radhë ushtrime të llojllojshme. Secila prej tyre dallonte nga tjetra dhe përfshinte lëvizje të ndryshme të trupit.

Gjimnastika është sport që kërkon shumë përpjekje. Prandaj fëmijët praktikonin të gjitha ushtrimet me shumë vëmendje. Pasi përfunduan ushtrimet parapërgatitëse ishte koha që fëmijët të ekzekutonin elementet e ndryshme që përmban gjimnastika.

Me një vëmendje të shtuar dhe shumë përkushtim gjimnastet praktikonin elementet e sportit që ato duan më së shumti. Dashuria e madhe që kanë për gjimnastikën i shtyn të ushtrojnë me shumë vullnet për t’i kryer sa më mirë lëvizjet e mësuara dhe më pas të arrijnë sa më shumë suksese në gara.

I gjithë ky sukses i fëmijëve mund të realizohej falë punës së trajnerit Shqiprim Imeri, i cili na tregoi më shumë rreth sportit të gjimnastikës dhe interesimit për këtë sport.

Pra, gjimnastika është një sport që kërkon shumë disiplinë, por e gjithë kjo mund të arrihet falë ushtrimeve të vazhdueshme. Këtë e dëshmuan gjimnastët e klubit “Kulina”.