PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Fëmijët e shkollës së muzikës “Beethoven” të vendosur që të zhvillojnë talentin e tyre në muzikë

Të mbushur me shumë vullnet e pasion, fëmijët e shkollës së muzikës, artit dhe baletit “Beethoven”, luajnë në instrumentin që ata kanë përzgjedhur të mësojnë. Në këtë rast bëhet fjala për instrumentin e pianos, tingujt e të cilit krijohen duke shtypur tastet përmes lëvizjes së koordinuar të gishtërinjve.

Tingujt e pianos bëjnë për vete të gjithë ata që fillojnë të luajnë në këtë instrument dhe rrëmbejnë zemrat e të gjithë atyre që e dëgjojnë. E në mesin e fëmijëve që ka përzgjedhur të mësoj të luajë në instrumentin e pianos është Mali. Përmes udhëzimeve nga mësuesja e tij e pianos, Mali ka arritur të mësojë të luajë vepra të ndryshme. Me buzëqeshje në fytyrë ai luante në piano veprën e mësuar me shumë përkushtim.

E përveç Malit, talente tjetër në piano është edhe Inara. Me mësimet e vazhdueshme ajo ka arritur që në piano të luajë vepra të ndryshme. Pavarësisht vështirësisë që kanë ato, dëshira për të mësuar sa më shumë vepra dhe dashuria për pianon e kanë shtyrë Inarën që të mësojë të luajë në mënyrë të mrekullueshme.

Nuk është pianoja instrumenti i vetëm që mësohet në këtë shkollë. Shkolla “Beethoven” me përvojë 20-vjeçare ofron edhe mësime të instrumenteve të tjera si violinë, kitarë dhe violonçel. Gjithashtu, përveç instrumenteve ofrojnë mësime në solo këndim. Përmes ushtrimeve të ndryshme më mësueset e tyre, fëmijët arrijnë që të këndojnë sa më bukur dhe duke respektuar rregullat e këndimit.

E në fushën e këndimit, talent të madh ka shfaqur Adriatiku, i cili prej një moshe shumë të hershme e ka vërejtur që ka talent në fushën e këndimit dhe tani ka perfeksionuar akoma më shumë talentin e tij në këndim. Përmes këshillave nga mësueset dhe praktikimit të vazhdueshëm, ai është i gatshëm të performojë këngë nga artistë të mëdhenj botërorë.

Këndimi dhe instrumentet muzikore zbukurojnë jetën tonë, duke na dhuruar ndjesi dhe emocione të bukura. Më shumë për rëndësinë e mësimit të ndonjë instrumenti na tregoi Shqipe Xharra, mësuese e pianos, e cila tha se luajtja në ndonjë instrument ka rol të madh në jetën e fëmijës.

Pra, nuk ka gjë më të bukur se të mësoni të luani ndonjë instrument muzikor. Pavarësisht se cilin preferoni, e rëndësishme është ta mësoni atë instrument me shumë dëshirë dhe përkushtim. Më pas do ta vëreni se sa të lumtur do të jeni që keni mësuar diçka të tillë.