PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Koncerti i rokerëve të së ardhmes

E themeluar tre muaj më parë, Rock School Prishtina – Defy Them, shkollë e muzikës alternative, ka organizuar koncertin e saj të parë me fëmijët të cilët vijojnë mësimet në këtë shkollë.

Koncerti filloi me performancën e bendit të shkollës “Nuclear Doom”. Ky bend përbëhet nga Luisa Nikoliqi vokal, Bora Ukqa - tupan, Lekë Shala – kitarë dhe Art Agani – bass kitarë. Ata kishin përgatitur dy këngë. Performanca e tyre mahniti të pranishmit në koncert.

E më pas i erdhi radha Kronit. Përmes goditjes me shkopinj, ai krijonte tinguj shumë të bukur, të cilët bënin për vete publikun. E për të zbukuruar performancën aty ishte një djalosh tjetër po me të njëjtin emër, Kron, i cili vallëzonte nën tingujt e tupanëve.

Të udhëhequr nga Teoman Ukqa, i cili është drejtori i shkollës dhe njëkohësisht mësues i tupanëve, nxënësit e kësaj shkolle kanë arritur të zhvillojnë talentin e tyre në instrumentin që ata kanë zgjedhur të mësojnë. Falë punës dhe angazhimit të vazhdueshëm, tani ata janë të gatshëm të luajnë këngë të ndryshme në tupanë.

E për ta përmbyllur më së miri këtë koncert, nxënësit nën udhëheqjen e mësuesit Teoman kishin përgatitur një përformancë. Nxënësit Kroni, Bora, Andi, Knidi, Anamia, Ida dhe Lisi, gjallëruan të gjithë sallën përmes performancës së tyre të jashtëzakonshme.

Të gjitha këto performanca shfaqën talentin e shkëlqyer të fëmijëve, të cilët me shumë dashuri dhe përkushtim luanin në instrumentin e tyre të preferuar. Ambicia dhe vullneti i madh për të luajtur në tupanë, i bën fëmijët e Rock School Prishtina – Defy Them instrumentistë shumë premtues për të ardhmen.