PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Si të jemi të shëndetshëm?

Çfarë mendoni se do të thotë të jesh i shëndetshëm? Shumë gjëra të ndryshme ndikojnë në shëndetin tonë, duke përfshirë atë që hamë dhe sa aktiv jemi.

Është shumë e rëndësishme që ne të zhvillojmë aktivitete të ndryshme sportive, qoftë ushtrime fizike apo sporte të llojllojshme me të cilat jemi njohur më parë së bashku dhe do të vazhdojmë akoma të njihemi. Aktivitetet fizike ndihmojnë në forcimin e muskujve, na bëjnë më elastik dhe përmirësojnë reflekset tona. Gjithashtu ato ndikojnë që ne të kemi një rritje dhe zhvillim të shëndetshëm. Mirëpo nuk duhet të harrojmë se ne kënaqemi shumë kur ushtrojmë ose kur luajmë sporte të ndryshme. Përveç tjerave edhe bëjmë shumë miq me të cilët argëtohemi pa masë.

Krahas ushtrimeve, që ne të jemi të shëndetshëm, duhet edhe të ushqehemi shëndetshëm. Ne e dimë se të gjitha qeniet e gjalla ushqehen në mënyrë që të jetojnë. Por a e keni menduar pse ndodh një gjë e tillë? A e keni vërejtur se sa të mërzitur dhe të lodhur ndihemi kur jemi të uritur? Nuk mundemi të koncentrohemi e as të bëjmë aktivitete fizike. Ngase të gjithë ne kemi nevojë për diçka që të na mbushë me energji. Ashtu siç kanë nevojë makinat për karburant që të lëvizin, ne kemi nevojë për ushqim në mënyrë që trupi ynë të punojë si duhet. Mirëpo është shumë e rëndësishme që ne të hamë ushqime të llojllojshme dhe tani së bashku do ta mësojmë përse.

Ushqimi përmban lëndë ushqyese të ndryshme, si proteina, karbohidrate, vitamina dhe minerale. Dhe të ushqyerit shëndetshëm do të thotë të hamë ushqime të ndryshme që përmbajnë këto lëndë ushqyese, që i nevojiten trupit tonë për të funksionuar. Për këtë arsye ekziston piramida e ushqimit, që tregon se sa shumë ne duhet të konsumojmë një lloj ushqimi. Ajo fillon me ushqimet që duhet konsumuar më së shumti, që janë ushqimet me karbohidrate si drithërat, buka, makaronat dhe patatet. Pastaj kemi grupin e dytë që janë pemët dhe perimet, të cilat kanë shumë vitamina dhe minerale. Në grupin e tretë janë produktet e qumështit, si djathi, jogurti dhe gjalpi, që përmbajnë gjithashtu shumë vitamina. Në grupin e katërt kemi mishin, peshkun dhe vezët. Konsumimi i tyre i dhuron trupit tonë proteina. Në grupin e fundit janë ushqimet që besoj se i duam më së shumti, ëmbëlsirat. Por ato nuk janë të shëndetshme, prandaj duhet të hamë sa më pak ushqime të tilla që përmbajnë shumë kalori, sepse nuk janë të shëndetshme për trupin tonë.

Pra, është shumë e rëndësishme që ne të hamë ushqime të shëndetshme, sepse ushqimi na dhuron energji për të mësuar, luajtur dhe rritur. Në këtë mënyrë do të zhvillojmë edhe aktivitete të ndryshme fizike dhe të kënaqemi. Prandaj mos harroni të ushqeheni shëndetshëm dhe të ushtroni sa më shumë!