PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Volejbolli, aktivitet fizik i dobishëm për fëmijë

Të lumtur për mbajtjen e stërvitjes, fëmijët e klubit të volejbollit “Vëllaznimi” mezi pritnin të fillonin praktikimin e këtij sporti. Mirëpo, si në çdo sport tjetër, edhe në volejboll fillimisht duhet të bëhen ushtrimet trupore që fëmijët të bëhen më të fortë dhe të gatshëm për të luajtur.

Volejbolli është sport që nxit të gjithë trupin të lëvizë dhe për këtë arsye fëmijët me ndihmën e trajnerëve të tyre ushtrojnë shumë që të përsosin aftësitë e tyre.

Qëllimi i sportit të volejbollit është hedhja e topit në anën e kundërt të rrjetës. Pra, topi duhet të prekë fushën e kundërshtarit në mënyrë që të shënohet pikë. Gjithashtu, ky sport zakonisht luhet në ambiente të mbyllura, kështu që mund të praktikohet në çdo stinë.

Trajnerët së bashku me fëmijët zhvillojnë ushtrime sa më atraktive që fëmijët ta mësojnë sa më lehtë sportin e volejbollit. Kështu mësojnë edhe rregullat që ka kjo lojë.

Pasi është sport grupor, ushtrimet zhvillohen në grupe dhe fëmijët mezi presin që të ushtrojnë së bashku me shokët dhe shoqet e tyre.

Lëvizjet e ndryshme, bashkëpunimi me lojtarët e ekipit dhe ritmi i lojës e bën sportin e volejbollit shumë përfitues për shëndetin tonë. Njëherazi edhe rrit aftësitë e të punuarit në grup, sepse nuk mund të jesh lojtar i mirë në volejboll në qoftë se nuk bashkëpunon me të tjerët.

Dëshira e madhe për ta praktikuar këtë sport dhe kënaqësia që e sjell ai e bëjnë volejbollin sport shumë të dashur dhe të preferuar nga ju fëmijë. Ndërsa fëmijët e klubit “Vëllaznimi” ushtrojnë me shumë vullnet për të realizuar ëndrrën e tyre, që një ditë të bëhen lojtarë profesionistë të volejbollit.