PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Ndryshimi i dizajnit të Newbornit përgjatë viteve

Monumenti Newborn është një skulpturë e vendosur përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve më 17 Shkurt të vitit 2008, në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë.

Fjala “Newborn” do të thotë “i porsalindur”, që ka shumë kuptime si “lindja e një jete të re”, “lindja e së ardhmes së re”, “lindja e një shprese të re dhe një shteti të ri”. Pra, secili kuptim simbolizon ditën historike për vendin tonë dhe është monumenti i parë i krijuar për të përkujtuar këtë ditë.

Monumenti “Newborn” u dizajnua nga Fisnik Ismajli. Sipas tij, ideja e këtij monumenti, i cili shërben edhe si atraksion turistik, ishte prezantimi i Kosovës si një vend i ri dhe modern, i gatshëm t’u bashkohet vendeve të tjera të botës. Përveç që është monument tërheqës, ai edhe bart shumë emocione me vete. Dizajni i tij është i prirë të ndryshojë çdo vit.

Fillimisht kishte ngjyrë të verdhë, që gjendet në flamurin e Kosovës dhe përfaqëson lindjen e diellit, ditës së re, shpresën dhe fundin e errësirës. Gjithashtu të gjithë ishin të ftuar të nënshkruanin në të, duke lënë gjurmën e tyre në këtë monument historik. Më pas vazhdoi me dizajne të tjera, të cilat përcillnin mesazhe të ndryshme shumë të rëndësishme për ngjarjet me të cilat përballet vendi ynë.

Një prej tyre ishte me flamurët e të gjitha vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës. Më pas ishte i ngjyrosur me ngjyrat e ushtrisë. Pas kësaj, të gjithë qytetarët ishin të ftuar të dekoronin shkronjat e Newborn sipas dëshirës, duke vazhduar me qiellin me re dhe tela që shfaq problemet që kemi për të udhëtuar jashtë vendit. Për 10-vjetorin e pavarësisë, shkronja B u zëvendësua me numrin 10, që kishte ngjyrë të verdhë. Kurse në vitin 2019 Newborn kishte temë ambientin, duke simbolizuar me secilën shkronjë elemente të ndryshme ekologjike si natyra, energjia, oksigjeni e riciklimi. Në vitin pasues, përsëri secila shkronjë simbolizonte dhe kishte të shkruar një mesazh të fuqishëm të dekoruar me lule.

Ndërkaq dizajni i fundit është krijuar nga ju fëmijë, sepse kishit mundësinë të linit gjurmët në monument të ngjyrosura me ngjyrat e ushtrisë. E këtë vit dizajni i ri, i dedikohet gruas, sepse shumë vajza nga Kosova po tregojnë suksese të ndryshme në botë, në fushën e sportit, muzikës dhe filmit.

Pra, secili dizajn përfaqëson një mesazh unik dhe me shumë kuptim. Pra, përmes artit ne po zbukurojmë vendin dhe po japim mesazhe shumë të rëndësishme. E neve nuk na mbetet tjetër vetëm se ta vlerësojmë këtë monument dhe të presim dizajnet e radhës.