KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
СПОРТ

Шостариќ, нов тренер на ракометот на Косово

Ракомет

 Zhvillimi i hendbollisteve, përgatitja e tyre për pjesëmarrje në ngjarje të mëdha, Evropianë e Botërorë, dhe stërvitjet e forta, ishin disa prej premtimeve që Nenad Shoshtariq i dha në prezantimin e tij si selektor i ri hendbollisteve të Kosovës. 
Trajneri kroat, me përvojë të madhe në nivel përfaqësuesesh, të klubeve dhe ish-hendbollist cilësor, u prezantua të mërkurën në ambientet e Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Tekniku kroat në postin e selektorit të Kosovës te hendbollistet e zëvendëson Agron Shabanin, që u largua në fillim të korrikut. Shabani e udhëhoqi Kosovën për tetë vjet dhe pati suksese. 
Por suksese edhe më të mëdha synon 67-vjeçari Shoshtariq, që udhëhoqi hendbollistet e Kroacisë në tri periudha të ndryshme. Me Kroacinë e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian 2020. E ka edhe një medalje të bronztë në Lojërat Mesdhetare në vitin 2022. Në Botërorin 1997, me Kroacinë u rendit në vendin e gjashtë. Ai ka udhëhequr edhe grupmoshat U18, U19 dhe U20 të Kroacisë. 
Ka punuar edhe në shumë vende të tjera.
“Gjëja e vetme që dua të bëj këtu është të provoj që t'i përmirësojë rezultatet e Kosovës në hendboll dhe ta fus përfaqësuesen e hendbollisteve në hartën e Evropës. Qëllimi bazik që e kam, ashtu siç bëj edhe në jetën time, është se ia paraqes vetes detyrën më të vështirë të mundshme. Nuk do të punoj me lojtare mesatare, nuk do të bëj punë mesatare. U kam thënë lojtareve dhe do t'u them sërish, nëse duan të thonë 'mesatare', ato nuk kanë nevojë për mua. Nuk ka nevojë që unë të jem këtu. Unë gjithmonë do ta jap 100 për qind nga vetja, këtë e dua edhe nga ato”, ka deklaruar Shoshtariq gjatë prezantimit të tij.  
Shoshtariqi vjen në prag të fillimit të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”. Ai ka thënë se gara në Itali nuk do të jetë aspak e lehtë. Në Grupin A janë edhe Italia, Algjeria, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Tunizia. Shoshtariq ka premtuar se Kosova do ta jap maksimumin, ndonëse në radhët e veta do të ketë hendbolliste me moshë shumë të re. 
“Të gjitha ekipet që do të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare, janë më të mira se ne. Janë më të forta. Është Italia, skuadër e kompletuar dhe si nikoqire dëshiron që ta bëj më të mirën, me lojtare me eksperiencë. Tunizia luan në çdo dy vjet në Kampionat Botëror. Është përfaqësuesja e dytë më e fortë afrikane dhe është duke bërë kamp trejavor me përgatitje. Greqia luan në Evropian këtë vit. Nga 16 lojtare që do të luajnë në Evropian, 14 prej tyre do të jenë në Taranto të Italisë. Dhe është Algjeria, përfaqësuesja e tretë më e mirë në Afrikë. Puna jonë është që të luftojmë sa të mundemi dhe mbi të gjitha, të fitojmë eksperiencë”, ka theksuar tekniku kroat.
Me përzgjedhësin e ri kroat, i cili nënshkroi kontratë pesëvjeçare, i lumtur është shprehur edhe Edin Kolgeci, kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Kolgeci tha se Shoshtariqi mund të jap kontribut të madh për hendbollin kosovar. Shoshtariqi është edhe ligjërues i Federatës Ndërkombëtare dhe Evropiane të hendbollit.  
“Kemi biseduar shumë gjatë dhe kemi arritur pajtim që ardhja e tij, e zotëri Shoshtariq, do të jetë një kthesë edhe në vazhdimin e zhvillimit të Kombëtares së femrave në të gjitha nivelet. Besoj që do të kemi suksese në të ardhmen”, deklaroi kryetari i FHK-së, Kolgeci. 
Shoshtariqi ka edhe suksese si trajner në nivel klubesh. Është fitues i “Challenge Cup” në vitin 2017 me Lokomotiva Zagrebin. Me këtë skuadër ishte edhe dy herë në gjysmëfinale të “Challenge Cup”. Me Krash Zagrebin ishte finalist i Kupës së Fituesve të Kupave. Ka tituj të Kroacisë dhe suksese tjera me klube në Kinë, Emirate të Bashkuara Arabe e disa vende të tjera. 
Trajneri më i mirë i Kroacisë i shpallur disa herë, karrierën si trajner e nisi në vitin 1990. Së fundmi ishte trajner i hendbollistëve të Zagrebit, skuadër që garon në Ligën e Kampionëve.