Përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës në basketboll të premten shënoi fitore të madhe, 78:76, ndaj Italisë. Të hënën Bosnjë-Hercegovina luan me Lituaninë, në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Botërorin 2027. Por për në Vilnius, Bosnjë-Hercegovina ka udhëtuar pa basketbollistin e rëndësishëm, Aleksandar Laziq dhe ndihmës-trajnerin Zoran Petkoviq. Laziq e Petkoviq janë serbë nga Bosnjë-Hercegovina.
Dhe para se të niseshin nga Beogradi për në Vilnius të Lituanisë, ata janë larguar nga përfaqësuesja. Mediumet boshnjake kanë shkruar se kjo ndodhi pasi Milorad Dodik i urdhëroi për një gjë të tillë. Dodik ishte president i Republika Srpskas në Bosnjë-Hercegovinë nga viti 2010 deri në vitin 2018 dhe nga viti 2022 deri në vitin 2025. Dodik, që mbetet figura kryesore te serbët e Bosnjë-Hercegovinës, është “çdo gjë” edhe te klubi i basketbollit nga Republika Srpska, Igokea. Sipas raportimeve, ai ka kërcënuar basketbollistin dhe trajnerin me shkëputje të kontratës në klub nëse nuk largohen nga përfaqësuesja.
Dodik e ka kërkuar largimin e Laziqit dhe Petkoviqit për shkak të banerëve kundër kriminelit të luftës Ratko Mladiq, që tifozët boshnjakë shfaqën gjatë ndeshjes me Italinë në Tuzla. Krimineli Mladiq vdiq në burg më 27 gusht. Dhe krimineli tjetër serb, Dodik, ka ndërhyrë në përfaqësuesen e basketbollit.
Klubi nga Bosnjë-Hercegovina, Gradina, i ka ofruar kontratë Laziqit, pas kushtëzimit që ia bëri Dodiku.
Ylli boshnjak, Jusuf Nurkiq, u doli në përkrahje lojtarit dhe trajnerit të larguar. Nurkiq ka thënë se sikur të vendosnin ata, do të ishin në përfaqësuese.
Në shumë stadiume e palestra në Bosnjë-Hercegovinë është festuar vdekja e kriminelit serb, Mladiq.
Por serbët, përkatësisht Republika Srpska, ende e ka fuqinë për të bllokuar shumë procese në Bosnjë-Hercegovinë, ndër të tjera edhe në sport. Këtë vazhdojnë ta bëjnë.
Për dallim nga Bosnjë-Hercegovina, në Serbi ka pasur veprime që kanë lartësuar kriminelin Mladiq. UEFA ka hapur hetim ndaj Cërvena Zvezdës dhe pritet ta dënojë këtë klub për një baner në përkrahje të kriminelit.
Edhe serbë të Bosnjës kanë lartësuar Mladiqin, të dënuar në Hagë për krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.