KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Додаток за култура

Филхармонијата патува во вселената од Земјини услови

Густав Холст

Kontrastet janë në thelb të mënyrës se si Gustav Holst e ka ndërtuar veprën. Shtatë pjesët e “The Planets” – nga “Mars, Bringer of War” deri te “Neptune, the Mystic” – krijojnë shtatë atmosfera të ndryshme, ku ritmi, ngjyra e intensiteti ndryshojnë vazhdimisht. “Kontrast” është edhe kryefjala midis kushteve dhe mundësive të Filharmonisë (Foto: Arben Llapashtica)

Me premierën e veprës “The Planets” të kompozitorit britanik Gustav Holst, nën dirigjimin e Gregory Charette, Filharmonia e Kosovës ka hapur sezonin e ri. Koncerti i mbajtur në një sallë private në Prishtinë, ka qenë udhëtim muzikor përmes shtatë trupave qiellorë, në të cilin muzika nuk është përpjekur thjesht të përshkruajë planetët, por të krijojë ndjesi të ndryshme për secilin prej tyre. Sado që Orkestra e Filhrmonisë ka zhvilluar një lloj udhëtimi kozmik nëpërmjet tingujve, realiteti i kushteve në të cilat interpreton, është zhgënjyes

Me tinguj që në çastet e para nuk lënë shumë hapësirë për qetësi, por e vendosin dëgjuesin përballë një ritmi të fuqishëm, të tensionuar dhe misterioz, Filharmonia e Kosovës e ka hapur sezonin e ri koncertal me një vepër që për më shumë se një shekull ka mbetur ndër krijimet më të njohura të repertorit orkestral – “The Planets” të kompozitorit britanik Gustav Holst.

Koncerti i së premtes mbrëma, i zhvilluar në një sallë private në Prishtinë, ka qenë udhëtim muzikor përmes shtatë trupave qiellorë, në të cilin muzika nuk është përpjekur thjesht të përshkruajë planetët, por të krijojë ndjesi të ndryshme për secilin prej tyre. Sado që Orkestra e Filhrmonisë ka zhvilluar një lloj udhëtimi kozmik nëpërmjet tingujve, realiteti i kushteve në të cilat interpreton, është zhgënjyes.

Në Prishtinë, ky udhëtim ka nisur me “Marsin”, pjesën që hap veprën me një ndjenjë kërcënuese dhe marshuese. Tingujt kanë nisur nga goditjet e shkopinjve të harkorëve mbi tela dhe gradualisht janë zgjeruar derisa e gjithë Orkestra ka marrë pjesë në ndërtimin e një atmosfere të rëndë e dramatike. Në ekranin pas Orkestrës është shfaqur planeti Mars, duke e shoqëruar vizualisht muzikën dhe duke i dhënë publikut një pikë referimi gjatë dëgjimit.

Që në këtë pjesë të parë, muzika e Holstit e ka mbajtur publikun në ritëm të tensionuar e dinamik, duke krijuar ndjesinë se diçka vazhdimisht po afrohet. “Venusi” më pas ka sjellë një ndryshim të dukshëm të atmosferës. Tingujt janë zbutur, janë bërë më melankolikë, duke krijuar një hapësirë më të qetë pas forcës së “Marsit”. Ndërsa “Jupiteri” e ka kthyer muzikën në një valë më të fuqishme emocionesh, me karakter më solemn.

“The Planets” ka qenë fillim i fuqishëm për sezonin e ri. Vepra është njëkohësisht madhështore dhe kërkuese për Orkestrën (Foto: Arben Llapashtica)

Këto kontraste janë në thelb të mënyrës se si Holsti e ka ndërtuar veprën. Shtatë pjesët e “The Planets” – nga “Mars, Bringer of War” deri te “Neptune, the Mystic” – krijojnë shtatë atmosfera të ndryshme, ku ritmi, ngjyra e intensiteti ndryshojnë vazhdimisht. Te “Neptuni” vjen edhe një kor grash jashtë skenës, që këndon pa tekst, duke krijuar efekt të largët e misterioz.

Edhe në koncertin e Filharmonisë së Kosovës, zërat e Korit në pjesën e fundit kanë ardhur nga njëra anë e ulëseve, në mënyrë që pjesa më e madhe e publikut nuk mund ta shihte saktësisht se nga po buronin. Tingulli është përhapur kështu në sallë sikur të vinte nga larg, apo nga një hapësirë tjetër, duke e shtuar ndjesinë e thellësisë dhe të misterit.

Dirigjenti i koncertit, Gregory Charette, e ka konsideruar interpretimin e “The Planets” si hap të rëndësishëm për orkestrën, meqë vepra është interpretuar për herë të parë nga Filharmonia e Kosovës.

“Gjithmonë dëshiron t’i shtysh kufijtë, sidomos kur e njeh shumë mirë një grup apo një orkestër. Është mirë t’i shtysh kufijtë, sepse kjo i mban gjërat interesante. Kjo vepër e Holstit, ‘The Planets’, është një nga veprat madhore të repertorit orkestral të shekullit XX. Është hera e parë që Filharmonia e Kosovës e ka interpretuar, prandaj kjo është premierë e saj në Kosovë”, ka thënë Charette.

Ai ka treguar se kishte qenë i befasuar edhe nga prania e një grupi holandezësh në sallë, të cilët, sipas tij, ishin impresionuar nga koncerti.

“Unë vij nga Holanda, ku edhe jetoj aktualisht. Rastësisht, këtu kishte një grup holandezësh. U befasova kur pashë rreth 20 holandezë në sallë. Ata ishin krejtësisht të impresionuar nga ky koncert”, ka thënë dirigjenti i cili me origjinë është nga Los Angeles.

Për Charette i cili për herë të parë e drejtoi formacionin rreth dhjetë vjet më parë, Orkestra përballet vazhdimisht me mungesë të infrastrukturës së përshtatshme dhe se mungesa e një salle të mirë koncertale ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si muzikantët zhvillojnë punën e tyre.

“Mendoj se Orkestra vazhdimisht përballet me probleme të infrastrukturës. Nuk ka një sallë të mirë ku mund të luajë. Kësaj radhe na është dashur ta përforcojmë tingullin e koncertit me zërim dhe kjo nuk është zgjidhja më e mirë për muzikantët. Pra, këta muzikantë përballen me shumë vështirësi. Është shumë e vështirë për ta të luajnë në mënyrë komode, sepse nuk kanë infrastrukturën e duhur”, ka thënë dirigjenti.

Ai ka shtuar se edhe pse kushtet janë të vështira, muzikantët vazhdojnë të japin maksimumin.

“Nuk kanë një sallë të mirë dhe nuk kanë hapësirë të mirë për prova. Ajo që më prek shumë është fakti se ata vazhdojnë ta bëjnë këtë. Vazhdojnë të vijnë, japin gjithçka nga vetja dhe përpiqen të bëjnë më të mirën e mundshme. Kjo më emocionon shumë”, ka thënë Charette.

Ai ka folur veçmas për akustikën e sallës ku është zhvilluar koncerti, duke thënë se ajo nuk i ofron Orkestrës kushtet që i nevojiten për të interpretuar.

“Kjo sallë është e mirë për publikun, le të themi. Publiku vjen, ka një holl të këndshëm, mund të pijë diçka. Por sa i përket akustikës... nuk ka akustikë. Prandaj na është dashur të përdorim zërimin. Kemi sjellë një inxhinier të zërit nga Luksemburgu. Atij i është dashur të shtojë akustikën përmes sistemit të zërimit”, ka thënë ai.

Te “Neptuni” vjen edhe një kor grash jashtë skenës, që këndon pa tekst, duke krijuar efekt të largët e misterioz

Charette ka treguar se për të, salla koncertale është kusht themelor për zhvillimin e Orkestrës.

“Duke ardhur këtu tashmë prej më shumë se nëntë vjetësh, vërtet do të doja që dikush në Ministrinë e Kulturës të ngrihej dhe të thoshte: ‘Ndërtoni një sallë koncertale.’ Ajo duhet të ndërtohet. Jam lodhur shumë duke dëgjuar njerëz që flasin për këtë dhe nuk bëjnë asgjë”, ka thënë ai.

Dirigjenti ka veçuar edhe përvojën e muzikantëve në salla të tjera evropiane, duke përmendur udhëtimet në Berlin dhe koncertin e ardhshëm në Krakow të Filharmonisë. Ka thënë se kur luajnë në salla adekuate, atëherë ndodh magjia që nuk shihet në Kosovë.

“Falë Zotit, Dardani (Selimaj v.j.) dhe ky drejtim artistik kanë marrë vendimin t’i dërgojnë muzikantët në turne në Berlin dhe tani edhe në Krakow. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, vetëm për t’u dhënë përvoja në salla me akustikë të mirë. Papritur, kur i dëgjon në një sallë me akustikë të mirë, është sikur një magjistar të ketë bërë diçka. Ata papritur mund të luajnë butë, mund të luajnë me finesë. Ndërsa këtu, ndonjëherë gjithçka është kaq e sforcuar, saqë u duhet thjesht të punojnë për ta nxjerrë tingullin”, ka thënë Charette.

Për profesoreshën e muzikës Besa Luzha, zgjedhja e “The Planets” ka qenë mënyrë e bukur për të nisur sezonin, por edhe një mundësi për ta afruar publikun me një vepër të madhe të muzikës klasike.

“Ishte një koncert i bukur për rifillimin e sezonit të Filharmonisë dhe vepra e përzgjedhur ishte mjaft interesante. ‘The Planets’ është luajtur premierë nga Filharmonia e Kosovës. Duket si një vepër shumë atraktive, si muzikë filmi, mirëpo do ta quaja një meditim muzikor të këtij kompozitori, i cili i ka përjetuar dhe i ka analizuar shumë mirë planetët dhe, përmes muzikës, ka tentuar të na përcjellë ndjesinë se si e përjetojmë secilin planet, edhe pse nga larg, por përmes imagjinatës sonë”, ka thënë Luzha.

“Duke ardhur këtu tashmë prej më shumë se nëntë vjetësh, vërtet do të doja që dikush në Ministrinë e Kulturës të ngrihej dhe të thoshte: ‘Ndërtoni një sallë koncertale’. Ajo duhet të ndërtohet. Jam lodhur shumë duke dëgjuar njerëz që flasin për këtë dhe nuk bëjnë asgjë”, ka thënë dirigjenti Gregory Charette

Ajo ka treguar se gjatë dëgjimit të veprës i është krijuar ndjesia sikur po udhëtonte në hapësirë.

“Unë vetëm i mbylla sytë dhe dukej sikur po udhëtoja në hapësirë”, ka thënë Luzha.

Edhe ajo e ka vënë theksin te mungesa e një salle të përshtatshme koncertale.

“Natyrisht, po vazhdojmë të performojmë në salla të improvizuara. Kjo sallë, sigurisht, në aspektin teknik e akomodon publikun shumë më mirë se sallat e tjera, por përsëri, në aspektin akustik, lë për të dëshiruar. Kjo ndikon edhe në vepër, edhe në përjetim, edhe në interpretim, të cilat nuk janë njësoj sikur të ishim në një sallë të vërtetë koncertale, ku do të dëgjonim me të vërtetë vetëm tingujt e orkestrës, pa u ndihmuar nga zërimi. Por ja që ky është realiteti ynë”, ka thënë Luzha.

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se “The Planets” ishte zgjedhur si një vepër që i përshtatej fillimit të sezonit, por që njëkohësisht i ka kërkuar Orkestrës angazhim të shtuar.

“Është një vepër që, ndoshta, e përfaqëson më së miri fillimin e sezonit të ri. Nuk është luajtur ndonjëherë më parë në Kosovë. Për Orkestrën ka qenë një angazhim i shtuar. Në të njëjtën kohë, është dashur të ftojmë edhe kolegë të tjerë instrumentistë për ta përmbushur gjithë formacionin e Orkestrës, për të cilin kërkohen instrumente specifike”, ka thënë Selimaj.

Ai ka paralajmëruar një sezon me repertor të gjerë, duke thënë se programi do të përfshijë si vepra të mëdha, ashtu edhe koncerte me formacione më të vogla.

“Besoj se sezoni do të jetë i tillë, do të jetë atraktiv. Ka shumë koncerte të cilat do të sjellin vepra dhe repertor të madh, por ka edhe koncerte që janë më të vogla, të cilat nuk janë më pak atraktive dhe, gjithsesi, besoj se do t’i pëlqejnë publikut që na ndjek gjatë sezonit”, ka thënë ai.

Për koncert-mjeshtrin e Filharmonisë së Kosovës, Festim Fanaj, “The Planets” ka qenë fillim i fuqishëm për sezonin e ri. Ai ka thënë se vepra është njëkohësisht madhështore dhe kërkuese për Orkestrën.

“Është një vepër shumë e bukur, por edhe kërkuese për Orkestrën. Pra, patëm një fillim të sezonit mjaft të fuqishëm. Është një nga veprat botërore që luhet në repertorin e orkestrave në të gjithë botën”, ka thënë Fanaj.

Ai ka veçuar edhe kombinimin e muzikës me projeksionet që kanë shoqëruar secilën pjesë të veprës.

“Dëgjuesit patën rastin ta shohin edhe përmes projeksioneve, ku gjatë performancës paraqiteshin planetët. Edhe kjo ka qenë një atraksion shumë i mirë për publikun. Por, në aspektin profesional, ka qenë vërtet një vepër kërkuese, megjithatë jo e paarritshme për Filharmoninë”, ka thënë Fanaj.

“The Planets” nuk ka qenë vetëm një vepër për shtatë planetë. Me të është hapur sezoni i ri me një vepër shumë kërkuese që premton të pasohet nga vepra po kaq të bukura e të rëndësishme të repertorit klasik.