KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
SHOWBIZ

Силвестер Сталоне вели дека случајно станал акциона ѕвезда

Силвестер Сталоне

Sylvester Stallone ka deklaruar se është bërë yll i filmave aksion “krejt rastësisht”.

Aktori 80-vjeçar u bë i njohur në mbarë botën duke luajtur boksierin Rocky Balboa në serinë “Rocky” ndërsa ishte i njohur edhe për filmat “Rambo”. Ai pranoi se e kuptoi se kishte gjetur një “mundësi të madhe”, por më pas pati vështirësi të shkëputej nga ky zhanër.

“Unë hyra në filmat aksion krejt rastësisht. Thjeshtë pashë se aty kishte një mundësi të madhe”, ka thënë ai për revistën Sunday Times.

Pas një serie filmash që nuk patën sukses, Stallone i cili mban rekordin me 12  çmime Golden Raspberry, që u jepen përformancave më të këqija në Hollywood, riktheu reputacionin e tij me filmin e gjashtë të serisë “Rocky”, “Rocky Balboa” në vitin 2006 dhe tani thotë se është “mirënjohës” që është identifikuar me këtë lloj roli.

“E kuptoj se sa mirënjohës jam për këtë stereotip. Përpjekja për t’i shpëtuar atij  ishte një katastrofë, sepse kjo nuk ishte ajo që dëshiron publiku”, ka thënë ai.

Stallone pranoi se nuk e përballoi mirë faktin që filmat e tij talleshin nga kritikët.

Ylli i serialit “Tulsa King” ka shkruar të gjitha historitë e “Rockyt”, ka bashkëshkruar të pesë filmat “Rambo” dhe ka kredite si skenarist në 10 filma të tjerë. Për këtë arsye, ai ndihej i irrituar nga imazhi publik si një “tip muskuloz”.

 “Konsiderohesha si një tip muskuloz. Kështu që njerëzit harruan se unë shkruaja. Isha thjesht ky bandit i rëndë.”

Stallone ka qenë gjithmonë i shtyrë nga pasiguria dhe vazhdimisht e ka detyruar veten të realizojë shumë filma, në përpjekje për t’i dëshmuar vetes dhe të tjerëve aftësitë e tij.

“Edhe pse në atë kohë nuk do ta pranoja, sepse do të isha tepër krenar. Kisha krijuar një jetë të tërë pasigurish që nga fëmijëria. Nuk mund t’i kapërcesh ato, ato janë aty përgjithmonë. Je plot vetëbesim të shtirur: ‘Nuk kam frikë nga asgjë’. Sigurisht që ke. Ishte pasiguria ajo që më shtynte. Gjithmonë. Secili prej këtyre titanëve të botës së biznesit, nuk më intereson çfarë thonë, besoj se shumë prej tyre, në qetësinë e natës, nëse do të ishin vërtet të sinqertë me ty dhe nuk do të regjistroheshin, do të pranonin se pasiguria i shtyn. Frika se mos shpërfillen. ‘Do t’jua dëshmoj’. Është një zemërim, një lloj zemërimi intelektual. Ata shtyhen nga zemërimi.”

Edhe pse ai dhe Arnold Schwarzenegger janë tashmë miq, Stallone pranoi se rivaliteti i tyre legjendar dhe i gjatë ishte i vërtetë dhe se ata “kishin nevojë” për njëri-tjetrin për të konkurruar.

 “Ishim në fyt të njëri-tjetrit, seriozisht. Nuk ishte shaka. Ishte si çështje jete a vdekjeje. Duhej të kishim qenë bashkë në Koloseun Romak. Është si kur një luftëtar fyen tjetrin; ai do të stërvitet aq shumë sa për ta mposhtur tjetrin. Ne kishim nevojë për njëri-tjetrin, absolutisht.”