Aktori Brad Pitt ka zbuluar me humor një nga gjërat e rralla që miku i tij i vjetër, aktori George Clooney, nuk di ta bëjë mirë. Ai ka thënë se Clooney nuk di të kërcejë.
Clooney u nderua të mërkurën në Festivalin e Filmit në Venecia me “Golden Lion” për arritje jetësore. Pitt nuk ishte i pranishëm në ceremoni, por aktorja Laura Dern lexoi një mesazh të tij gjatë prezantimit të çmimit, ka shkruar ЖенаПрва.
“Ai mund të konkurrojë në pothuajse çdo gjë dhe e bën më mirë se të gjithë ne. Por ju lutem, mbajeni larg pistës së kërcimit. Ai nuk di të kërcejë”, kishte shkruar Pitt.
Më pas ai ka treguar me shaka disa veti të tjera të Clooneyt.
“Pra, pse e duam George Clooneyn? Ai është aventurier, shakaxhi, bamirës, aktor dhe sportist. Është i vetmi njeri që do të doje pranë vetes në një krizë. Është baba, bashkëshort, qytetar i botës dhe mbrojtës i drejtësisë… dhe një kërcimtar vërtet i keq”, thuhej tutje në letrën e Pittit.
Pitt dhe Clooney kanë qenë miq dhe bashkëpunëtorë prej dekadash. Ata luajtën së bashku për herë të parë në filmin “Ocean’s Eleven” në vitin 2001.
Mesazhe urimi për Clooneyn u lexuan edhe nga miq dhe kolegë të tjerë. Aktori Adam Sandler, bashkëprotagonist i tij në “Jay Kelly”, bëri gjithashtu shaka me të.
“Laura, sigurohu që të gjithë ta dinë se nuk ka njeri që mendon për të tjerët më shumë se George. Dhe fol edhe për dobësinë e tij dhe sa në formë është. Është e pabesueshme!”, shkroi Sandler.
Agjenti dhe miku i Clooneyt prej 25 vitesh, Bryan Lourd, e përshkroi njohjen me aktorin si një privilegj të madh.
“Të jem miku dhe partneri i tij në jetë dhe në film është një nga dhuratat dhe nderimet më të mëdha të jetës sime. Ai ka ndarë me të gjithë ne zemrën, mendjen, talentin dhe jetën e tij. Ai është unik dhe vërtet një nga më të mëdhenjtë”, ka thënë Lourd.
Regjisori Alexander Payne e krahasoi Clooneyn me ikonat e Hollywoodit, Clark Gable dhe Cary Grant.
“Ajo që e bën George Clooneyn një aktor, regjisor dhe qytetar kaq të madh janë njerëzillëku dhe dhembshuria e tij”, ka thënë Payne.
Sipas tij, Clooney ka një aftësi të veçantë për t’i bërë njerëzit të ndihen të rëndësishëm.
“Ai kujton gjithçka, tregon shaka, shërben verë të mirë, i trajton të gjithë njësoj, i bën të gjithë të qeshin dhe ndan edhe thashethemet më pikante”, ka thënë ai.