KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Мислење

Што значи рокот ако постапката не е започната?

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastet KO256/26 dhe KO258/26, i 29 shtatorit 2026, ngre një çështje që shkon përtej numërimit të afateve kushtetuese: deri ku mund të shkojë interpretimi i Kushtetutës pa krijuar rregulla që teksti kushtetues nuk i përmban?

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastet KO256/26 dhe KO258/26, i 29 shtatorit 2026, përveç çështjeve që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, ka dhënë një interpretim me pasoja të rëndësishme për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Gjykata ka konstatuar se afati gjashtëdhjetëditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Problemi nuk qëndron vetëm te numërimi i ditëve. Problemi është më themelor: nga cili fakt kushtetues ka filluar të rrjedhë ky afat?

Në të drejtën kushtetuese, afati nuk ekziston i shkëputur nga fakti juridik që e aktivizon. Norma kushtetuese përcakton një fakt, fillimin e një procedure ose ndërmarrjen e një veprimi dhe pastaj përcakton afatin brenda të cilit duhet të zhvillohet ose të përfundojë procedura. Prandaj, së pari duhet të ndodhë fakti dhe pastaj fillon afati. Afati nuk mund ta krijojë faktin.

Çfarë përcakton neni 66?

Problemi fillon me interpretimin e nenit 66.1 të Kushtetutës. Teksti përcakton se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, e cila “mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.

Pra, Kushtetuta përcakton afat për mbajtjen e seancës konstituive. Neni 66.1 nuk përcakton shprehimisht se brenda tridhjetë ditësh duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit.

Gjykata, duke u mbështetur në jurisprudencën e mëparshme, veçanërisht në KO124/25, këtij formulimi i ka dhënë kuptimin se brenda tridhjetë ditësh duhet të përmbushen të gjitha elementet thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Në rastet KO256/26 dhe KO258/26, Gjykata nuk e rihap këtë interpretim, duke e konsideruar çështje tashmë të gjykuar.

Ky dallim është i rëndësishëm. Një gjë është teksti i Kushtetutës dhe tjetër është përmbajtja që jurisprudenca ia ka dhënë tekstit përmes interpretimit.

Në rastin konkret, seanca konstituive kishte filluar më 6 gusht. Ishin verifikuar mandatet dhe deputetët kishin dhënë betimin. Vetë Aktgjykimi konstaton këto fakte. Konstituimi nuk kishte përfunduar, por seanca që neni 66 kërkon të mbahet brenda tridhjetë ditësh ishte mbajtur.

Edhe më domethënës është një konstatim tjetër i vetë Gjykatës: Kushtetuta nuk përcakton që dështimi për konstituimin e Kuvendit brenda tridhjetë ditësh ka për pasojë shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve.

Atëherë lind pyetja: nëse Kushtetuta nuk e ka përcaktuar pasojën e tejkalimit të këtij afati, përse zgjidhja duhet të jetë krijimi përmes interpretimit i një pasoje tjetër, të cilën Kushtetuta po ashtu nuk e përcakton?

Nga afati për konstituimin te afati për presidentin

Gjykata konstaton se kalimi i afatit tridhjetëditor për konstituimin e Kuvendit ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe Qeverisë.

Por neni 82.1(3) nuk përcakton se afati për zgjedhjen e presidentit fillon kur përfundon afati për konstituimin e Kuvendit.

Kushtetuta përdor një formulim tjetër. Afati gjashtëdhjetëditor lidhet me “ditën e fillimit të procedurës së zgjedhjes së presidentit”.

Ky nuk është dallim terminologjik. Është fakt juridik që aktivizon afatin.

Edhe neni 86 ka rëndësi thelbësore. Neni 86 përcakton procedurën e zgjedhjes së presidentit: kandidaturat, votimet, shumicat e nevojshme dhe, në fund, votimin e tretë. Nëse as në votimin e tretë nuk zgjidhet presidenti, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja.

Prandaj, nenet 82 dhe 86 duhet të lexohen së bashku. Njëri përcakton afatin dhe pasojën, ndërsa tjetri procedurën dhe faktet që duhet t'i paraprijnë kësaj pasoje.

Vetë arsyetimi në rastet KO256/26 dhe KO258/26 e bën problemin edhe më të dukshëm. Gjykata rithekson se, kur kemi një legjislaturë të re ende të pakonstituuar, procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit. Por menjëherë më pas konstaton se në rastin konkret afati ka filluar më 8 gusht, sepse Kuvendi duhej të ishte konstituuar deri më 7 gusht.

Këtu qëndron problemi: 8 gushti nuk ishte dita e konstituimit të Kuvendit.

Kështu, dita kur Kuvendi duhej të ishte konstituuar merr efektin juridik të ditës kur Kuvendi është konstituuar. Pastaj kjo datë përdoret si pikënisje e afatit për një procedurë tjetër – zgjedhjen e presidentit.

Në këtë pikë shtrohet pyetja themelore: ku përfundon interpretimi i Kushtetutës dhe ku fillon krijimi i normës kushtetuese?

Një afat që fillon më 8 gusht, por përcaktohet më 29 shtator 26

Problemi bëhet edhe më i ndërlikuar në dimensionin kohor.

Aktgjykimi në rastet KO256/26 dhe KO258/26 është i datës 29 shtator 2026. Vetë dispozitivi përcakton se Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese.

Megjithatë, përmes të njëjtit Aktgjykim përcaktohet se afati gjashtëdhjetëditor kishte filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Pra, kur Aktgjykimi hyn në fuqi, pjesa dërrmuese e afatit që Gjykata konsideron se Kuvendi e kishte në dispozicion tashmë kishte kaluar.

Këtu nuk mjafton argumenti se Gjykata vetëm ka konstatuar një pasojë që ekzistonte drejtpërdrejt nga Kushtetuta. Nëse kjo është premisa, duhet të identifikohet norma kushtetuese nga e cila rezulton se pikërisht 8 gushti ishte dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes së presidentit.

Por neni 82 nuk e lidh afatin me skadimin e afatit për konstituimin e Kuvendit. E lidh me fillimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit.

Prandaj lind një problem serioz i sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë: si mund të kërkohet respektimi i një afati gjashtëdhjetëditor, kur kuptimi juridik sipas të cilit ky afat kishte filluar më 8 gusht përcaktohet përmes një Aktgjykimi që hyn në fuqi më 29 shtator?

Vetë aktgjykimi, në paragrafin 225, e përcakton kohën që Kushtetuta ua ka vënë deputetëve në dispozicion. Por kur kuptimi i kësaj kohe përcaktohet në fund të saj, lind pyetja nëse deputetët e kanë pasur realisht në dispozicion afatin që thuhet se Kushtetuta ua ka garantuar.

Afati nuk mund ta krijojë faktin

Kjo çështje bëhet veçanërisht serioze sepse pasoja përfundimtare mund të jetë shpërndarja e Kuvendit.

Nuk mund të dështojë një procedurë që nuk ka filluar. Nuk mund të dështojë një votim që nuk është zhvilluar. Dhe shpërndarja e Kuvendit nuk duhet të mbështetet në një fakt të supozuar kur vetë Kushtetuta përcakton faktet dhe procedurën që duhet t'i paraprijnë kësaj pasoje.

Nëse pranohet se afati mund të rrjedhë edhe pa filluar procedura, krijohet edhe një rrezik tjetër: pasiviteti institucional mund të prodhojë vetë pasoja kushtetuese. Mosveprimi mund të shndërrohet nga problem kushtetues në mundësi për prodhimin e një rezultati kushtetues. Kjo e bën sistemin të cenueshëm ndaj instrumentalizimit politik të afateve, pavarësisht se cili subjekt politik mund të përfitojë në një situatë konkrete.

Gjykata Kushtetuese është interpretuesja përfundimtare e Kushtetutës. Por edhe interpretimi kushtetues ka kufij. Nuk mjafton vetëm të ekzistojë një vendim. Një vendim kushtetues duhet të mbështetet në tekstin e Kushtetutës, në faktet juridike dhe, mbi të gjitha, në logjikën kushtetuese.

Në rastet KO256/26 dhe KO258/26 kemi një zinxhir interpretues që kërkon debat serioz: nga afati për mbajtjen e seancës konstituive është nxjerrë afati për përfundimin e konstituimit; nga skadimi i këtij afati është nxjerrë fillimi i afatit për presidentin; ndërsa pikënisja e këtij afati është vendosur më 8 gusht përmes një Aktgjykimi që hyn në fuqi më 29 shtator.

Së pari duhet të ndodhë fakti, pastaj fillon afati. Jo afati të kalojë dhe pastaj të konsiderohet se fakti ka ndodhur.

Në të kundërtën, interpretimi nuk e sqaron vetëm Kushtetutën. Rrezikon të krijojë afate, fakte dhe pasoja që teksti kushtetues nuk i ka përcaktuar.

(Авторката е професорка по теорија на државата и правото на Правниот факултет на Универзитетот во Приштина)