Një studim i ri ka zbuluar se vaksina Shingrix, e përdorur kundër herpes zosterit (sëmundje e dhimbshme që shkaktohet nga riaktivizimi i virusit të lisë së ujit e që mund të shkaktojë skuqje dhe dhimbje nervore që në disa raste zgjasin me muaj ose vite), mund të lidhet me rrezik më të ulët për infarkt, sulm në tru dhe probleme kardiovaskulare, ka shkruar Чувар.
Studiuesit analizuan të dhënat e rreth 70 mijë personave mbi 60 vjeç në SHBA dhe zbuluan se ata që morën Shingrix kishin 12 për qind më pak rrezik për probleme kardiovaskulare gjatë 3.5 viteve të para pas vaksinimit.
Në fund të periudhës së ndjekjes, ulja e rrezikut ishte rreth 4 për qind.
“Nëse konfirmohet nga provat klinike, vaksinimi i të moshuarve kundër herpes zosterit mund të parandalojë qindra mijëra raste të sëmundjeve të zemrës, sulmeve në tru dhe problemeve kardiovaskulare në mbarë botën”, ka thënë studiuesi kryesor, doktori Maxime Taquet nga Universiteti i Oksfordit.
Ai ka shtuar se efekti mund të jetë i krahasueshëm me atë të barnave që ulin tensionin e gjakut, nëse rezultatet konfirmohen në prova të kontrolluara.
Por ka një kufizim të rëndësishëm ky është një studim vëzhgues, ndaj nuk mund të provojë përfundimisht se vaksina është shkaku i uljes së rrezikut. Sipas studiuesve nevojiten prova klinike për të vërtetuar se vaksina ka atë efekt.
Shkencëtarët po përpiqen gjithashtu të kuptojnë pse vaksina mund të ketë këtë efekt.
Sipas tyre, një mundësi është se herpes zoster mund të rrisë rrezikun për sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, ndërsa parandalimi i tij mund ta zvogëlojë këtë rrezik.