Ushqimet e shumëpërpunuara janë kthyer në një nga temat më të diskutuara në fushën e shëndetit dhe ushqyerjes. Studime të shumta i kanë lidhur ato me sëmundje kronike, ndërsa disa ekspertë i konsiderojnë kërcënim serioz për shëndetin publik. Megjithatë, shkencëtarët nuk bien plotësisht dakord se sa i madh është rreziku dhe nëse të gjitha këto ushqime duhen shmangur, ka shkruar Разговорот.
Ushqimet e shumëpërpunuara janë produkte industriale që zakonisht përmbajnë përbërës të përpunuar, aditivë dhe pak ose aspak ushqime të plota në formën e tyre natyrore. Ato prodhohen për të qenë të shijshme, praktike, të qëndrueshme në raftet e dyqaneve dhe fitimprurëse për kompanitë.
Por jo të gjitha produktet e përpunuara janë të njëjta dhe pikërisht këtu nis debati.
Si kanë ndryshuar ushqimet me kalimin e kohës?

Përpunimi i ushqimit nuk është diçka e re. Njerëzit kanë gatuar, tharë, bluar dhe fermentuar ushqime prej mijëra vjetësh. Më vonë, me zhvillimin e industrisë, u përhapën metoda si konservimi, pasterizimi dhe ftohja, të cilat ndihmuan në ruajtjen e ushqimeve dhe përmirësimin e sigurisë së tyre.
Problemet nisën të merrnin më shumë vëmendje kur prodhuesit filluan të krijonin produkte industriale me sasi të larta kripe, sheqeri dhe yndyrash të ngopura. Konsumimi i tepërt i këtyre përbërësve lidhet me obezitetin, diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës.
Në vitet e fundit, disa studiues kanë argumentuar se nuk ka rëndësi vetëm përbërja ushqyese e ushqimit, por edhe mënyra se si ai prodhohet dhe përpunohet.
Si klasifikohen ushqimet?

Një nga sistemet më të përdorura në këtë fushë është klasifikimi NOVA, i zhvilluar nga studiues brazilianë. Ai i ndan ushqimet në katër grupe:
Grupi 1- Ushqime të papërpunuara ose minimalisht të përpunuara: fruta, perime, vezë, qumësht dhe mish i freskët.
Grupi 2- Përbërës për gatim: vajra, sheqer, kripë dhe përbërës të tjerë të përftuar nga ushqimet bazë.
Grupi 3- Ushqime të përpunuara: perime të konservuara, djathëra dhe bukë e përgatitur me përbërës të thjeshtë.
Grupi 4 -Ushqime të shumëpërpunuara: pije të gazuara me sheqer, produkte të paketuara, ëmbëlsira industriale dhe disa ushqime të gatshme që përmbajnë përbërës dhe aditivë të shumtë.
Sipas këtij klasifikimi, ushqimet e shumëpërpunuara shpesh prodhohen për t’u konsumuar lehtë, për të pasur shije tërheqëse dhe për të nxitur blerjen e përsëritur.
Megjithatë, klasifikimi nuk është pa probleme. Disa produkte mund të kenë vlera të ngjashme ushqyese, por të përfundojnë në kategori të ndryshme për shkak të mënyrës së prodhimit ose përbërësve të përdorur.
Çka thonë studimet për shëndetin?

Shumë studime kanë gjetur se personat që konsumojnë më shumë ushqime të shumëpërpunuara kanë rrezik më të lartë për sëmundje kronike dhe vdekje të parakohshme. Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre studimeve tregon lidhje statistikore dhe jo domosdoshmërisht provon se vetë përpunimi është shkaku i drejtpërdrejtë.
Rreziku gjithashtu ndryshon sipas produktit. Pijet me sheqer dhe mishrat e përpunuar janë lidhur vazhdimisht me pasoja negative për shëndetin, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare.
Nga ana tjetër, disa produkte, si disa lloje buke, drithërat e perpunuar me ëmbëltues artificial që përdoren për mëngjes, dhe kosi, në studime të caktuara, janë lidhur me rezultate më të favorshme shëndetësore. Për produkte të tjera, si salcat dhe disa gatime të gatshme, provat nuk tregojnë një lidhje të qëndrueshme në njërin apo tjetrin drejtim.
Një studim, ku pjesëmarrësit ndoqën për dy javë një dietë me ushqime të shumëpërpunuara, zbuloi se ata konsumuan më shumë kalori dhe shtuan më shumë peshë sesa personat që ndoqën një dietë me ushqime minimalisht të përpunuara. Megjithatë, studimet e shkurtra nuk mjaftojnë për të përcaktuar të gjitha pasojat afatgjata.
Pse nuk bien dakord të gjithë ekspertët?

Disa studiues mendojnë se përpunimi industrial është një faktor i rëndësishëm që duhet marrë parasysh në politikat shëndetësore. Ata kërkojnë kufizime për prodhimin, reklamimin dhe shitjen e produkteve që mund të dëmtojnë shëndetin.
Të tjerë argumentojnë se etiketa “të shumëpërpunuara” është tepër e gjerë dhe nuk pasqyron gjithmonë vlerat ushqyese të një produkti. Sipas tyre, problemi kryesor mund të jetë sasia e tepërt e kalorive, sheqerit, kripës dhe yndyrave të ngopura, si dhe fakti që disa produkte hahen lehtësisht në sasi të mëdha.
Këta ekspertë theksojnë gjithashtu se një ndalim i përgjithshëm mund të krijojë frikë të panevojshme nga ushqimi, të nxisë marrëdhënie jo të shëndetshme me të dhe të vështirësojë jetën e familjeve që mbështeten te produktet e përballueshme dhe praktike. Formula për foshnjat dhe disa produkte të posaçme për ushqyerjen klinike janë shembuj që tregojnë pse jo çdo produkt i përpunuar duhet trajtuar njësoj.
Çka duhet bërë në praktikë?

Pavarësisht debateve, studiuesit pajtohen se ushqyerja moderne duhet të përmirësohet. Një qasje e arsyeshme është të mos përqendrohemi vetëm te etiketa e produktit, por edhe te përbërësit dhe cilësia e përgjithshme e dietës.
Konsumoni më shpesh fruta, perime, bishtajore dhe drithëra integrale.
Kufizoni pijet me sheqer, mishrat e përpunuar dhe ushqimet me shumë kripë, sheqer ose yndyra të ngopura.
Lexoni etiketat ushqyese dhe listën e përbërësve.
Mos e konsideroni automatikisht çdo ushqim të paketuar si të dëmshëm; vlerësoni produktin në tërësi.
Përpiquni të ruani një dietë të larmishme dhe të ekuilibruar, pa krijuar frikë të panevojshme nga ushqimi.