Një studim i ri ka gjetur një lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe disa ndryshimeve në organet riprodhuese të vajzave, por studiuesit theksojnë se kjo nuk provon se ilaçi i ka shkaktuar këto ndryshime, ka shkruar Ен-Ен
Studimi, i publikuar në Human Reproduction Open, përfshiu gra shtatzëna në Danimarkë dhe foshnjat e tyre. Te vajzat e ekspozuara ndaj paracetamolit gjatë shtatzënisë u gjetën mesatarisht vezore 40 për qind më të vogla, mitër 13 për qind më të vogël dhe 23 për qind më pak folikula ovariane, strukturat që përmbajnë vezët e papjekura.
Këto ndryshime mund të lidhen me rezervën ovariane dhe fertilitetin në të ardhmen, por vajzat nuk janë ndjekur mjaftueshëm gjatë jetës për të përcaktuar nëse do të kenë realisht probleme me fertilitetin.
“Gratë nuk duhet të alarmohen nga këto gjetje, sepse studimi nuk përcakton shkak dhe pasojë”, ka thënë autorja e studimit, doktoresha, Margit Bistrup Fischer.
Ajo ka shtuar se nevojiten shumë më tepër kërkime për të kuptuar nëse ndryshimet shkaktohen nga paracetamoli apo nga arsyeja për të cilën gratë e kanë përdorur atë, si dhimbja, temperatura apo infeksionet.
Sipas mjekëve, paracetamoli mbetet opsioni më i sigurt kur nevojitet.
Ekspertët theksojnë se rekomandimet aktuale për përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë nuk kanë ndryshuar. Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG) ka thënë se gjetjet nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar udhëzimet.
Paracetamoli, apo siç njihet në SHBA Tylenoli, konsiderohet ende një nga ilaçet më të sigurta për trajtimin e dhimbjes dhe temperaturës gjatë shtatzënisë, nëse përdoret kur është i nevojshëm dhe në doza të përshtatshme.
“Tylenoli, është ilaçi më i sigurt që kemi kur nevojitet”, ka thënë doktori Hugh Taylor nga Universiteti Yale.
Megjithatë, ai ka shtuar se nuk duhet përdorur pa nevojë.
“Nuk duhet ta marrim si karamele. Por është ilaçi më i sigurt për t’u përdorur gjatë shtatzënisë kur është i nevojshëm”, ka thënë ai.
Një tjetër ekspert, doktori Gavin Stewart, ka paralajmëruar se studimi është relativisht i vogël dhe mund të jetë interpretuar më tej nga sa lejojnë të dhënat.