Studiues nga Australia kanë identifikuar një nëntip të depresionit, të cilin e kanë quajtur “depresioni cirkadian”. Ai lidhet me çrregullimin e orës së brendshme biologjike, e cila ndihmon trupin të rregullojë ciklin e gjumit dhe zgjimit, ka shkruar Чувар.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore "British Journal of Psychiatry", ka analizuar të dhëna klinike dhe gjenetike nga 11.380 australianë, shumica me depresion të rëndë ose të përsëritur.
Sipas studiuesve, një person mund të shfaqë këtë nëntip kur ka të paktën tri nga gjashtë karakteristika: ndryshime të humorit sipas stinëve, fjetje dhe zgjim më të vonë se zakonisht, nevojë për më shumë gjumë gjatë periudhave depresive, prirje për të qëndruar zgjuar deri vonë gjatë natës, lodhje e theksuar pas zgjimit, si dhe ndryshime të mëdha në orarin e gjumit mes ditëve të punës dhe fundjavës.
Kjo e fundit njihet si “jet lag social”, kur ritmi i gjumit ndryshon ndjeshëm në varësi të detyrimeve të përditshme.
Sipas autores kryesore të studimit, doktoresha Emiliana Tonini, personat me këtë profil shfaqnin simptoma më të rënda, fillim më të hershëm të depresionit dhe episode më të shpeshta.
Studiuesit vunë re gjithashtu lidhje me rrezik më të lartë gjenetik për ADHD-në dhe çrregullimet e humorit, si dhe me disa tregues metabolikë dhe inflamatorë.
Sipas rezultateve të studimit, antidepresantët e zakonshëm dukeshin më pak efektivë dhe shoqëroheshin me më shumë efekte anësore te personat që kishin këtë profil.
Profesori dhe psikiatri Ian Hickie ka theksuar rëndësinë e trajtimeve që synojnë rregullimin e ritmit biologjik.
“Ekspozimi ndaj dritës në mëngjes, aktiviteti gjatë ditës, oraret e rregullta të gjumit dhe zgjimit, si dhe oraret e qëndrueshme të ushqyerjes, janë thelbësore”, u shpreh ai.
Megjithatë, këto rezultate nuk nënkuptojnë se personat me depresion duhet të ndërpresin ose të ndryshojnë mjekimin. Çdo trajtim duhet të përcaktohet në konsultim me profesionistët e shëndetit mendor.
Ekspertët e përfshirë në vlerësimin e studimit e konsiderojnë kërkimin premtues, por theksojnë se nevojiten studime të tjera për të konfirmuar rezultatet.
Një nga kufizimet kryesore është se pjesëmarrësit kishin prejardhje gjenetike të lidhur me popullsitë evropiane, ndaj rezultatet mund të mos vlejnë njësoj për të gjitha grupet e popullsisë.
Sipas eksprtëve, nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar se si mund të diagnostikohet dhe cilat trajtime funksionojnë më mirë për personat e prekur.