Gratë raportojnë më shumë dhimbje fizike se burrat në të gjitha pjesët e trupit, sipas një studimi të madh ndërkombëtar të publikuar në Nature Medicine, ka shkruar Чувар.
Studiuesit analizuan të dhëna nga më shumë se 6 milionë njerëz në 118 vende, gjatë periudhës 1990-2025. Pjesëmarrësit ishin nga mosha 5 deri në mbi 100 vjeç.
Studimi shqyrtoi dhimbjet në 11 zona të trupit, përfshirë kokën, qafën, shpatullat, duart, shpinën, barkun, ijet dhe gjunjët. Gratë raportuan nivele më të larta dhimbjeje në të gjitha këto zona, veçanërisht për dhimbjet e kokës, fytyrës dhe barkut.
Dhimbja rritet ndjeshëm para moshës 55 vjeç
Si te gratë, ashtu edhe te burrat, rritja më e madhe e dhimbjeve ndodh para moshës 55 vjeç. Më pas, dhimbjet arrijnë nivelet më të larta rreth moshës 75 vjeç e më tej.
Dhimbja e shpinës ishte më e zakonshmja, e raportuar nga rreth 40 për qind e pjesëmarrësve, ndërsa dhimbja e fytyrës ishte më e rralla, me rreth 2 për qind.
Studiuesit vunë re se dhimbjet e kokës, barkut dhe fytyrës priren të shfaqen më herët dhe të ulen me kalimin e moshës. Ndërkohë, dhimbjet e shpinës, ijeve dhe gjunjëve priren të shtohen gjatë gjithë jetës.
Sipas autorëve, kjo tregon se një pjesë e madhe e barrës së dhimbjes zhvillohet gjatë viteve të punës dhe jetës aktive.
“Edhe pse mundësia për të përjetuar dhimbje rritet gradualisht me moshën, format më të rënda të dhimbjes arrijnë kulmin në moshën e mesme dhe në fillim të pleqërisë, përpara se të bien më vonë”, thuhet në raportin e studimit.
Studimi gjeti gjithashtu se duhani, obeziteti dhe të ardhurat e ulëta lidhen me rreth 18.3 për qind të barrës globale të dhimbjes.
Gratë ende përballen me nënvlerësim të dhimbjes
Ekspertët thonë se rezultatet japin dëshmi të forta se dallimi mes burrave dhe grave në përjetimin e dhimbjes është real dhe i përhapur në të gjithë botën.
“Është dëshmi e fortë se hendeku gjinor në dhimbje është real, i qëndrueshëm dhe global. Megjithatë, dhimbja e grave ende shpesh nënvlerësohet, studiohet më pak dhe trajtohet në mënyrë të pamjaftueshme”, ka thënë Andrew Horne, profesor në Universitetin e Edinburgut.
Edhe Rebeccah Slater, profesoreshë në Universitetin e Oksfordit, e ka cilësuar situatën si një paradoks shqetësues.
“Gratë përjetojnë më shumë dhimbje, por dhimbja e tyre ka më shumë gjasa të neglizhohet, të diagnostikohet me vonesë ose të trajtohet në mënyrë të pamjaftueshme”, ka thënë ajo.
Studiuesit theksojnë se rezultatet duhen interpretuar me kujdes, pasi të dhënat vijnë nga vende dhe grupmosha me nivele të ndryshme mbulimi dhe mënyra të ndryshme të matjes së dhimbjes.