Një trend i ri në rrjetet sociale po sugjeron se ngrënia e sallatës me karota, të cilës po i referohen si “sallata retinol” mund të ketë të njëjtat përfitime për lëkurën si përdorimi i retinolit në kremra, ka shkruar ВРЕМЕ.
Por dermatologët thonë: po, por jo bash kështu.
Sallata zakonisht përmban karota, hudhër, uthull, speca, vaj susami dhe limon. Karotat janë të pasura me beta-karoten, të cilin trupi e shndërron në vitaminë A.
“Përgjigjja është po dhe jo”, ka thënë Dermatologu Lawrence Green.
Ndërkohë dermatologia Rajani Katta e quan sallatën të shëndetshme për lëkurën, por paralajmëron se ky emërim që i lanë influencerët është “çorientues”.
Ajo ka thënë se beta-karoteni nga ushqimi nuk është i njëjtë me retinolin që aplikohet direkt në lëkurë.
Retinoli në kremra depërton në lëkurë, përshpejton rinovimin e qelizave dhe ndihmon në prodhimin e kolagjenit. Studimet tregojnë se mund të ndihmojë me rrudhat e imëta, njollat, dëmtimet nga dielli, strukturën e lëkurës dhe aknet.
Ndërsa karotat dhe ushqimet e pasura me beta-karoten janë të mira për lëkurën kryesisht falë antioksidantëve, të cilët ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimi dhe plakja.
A ka rreziqe?
Për shumicën e njerëzve, beta-karoteni nga ushqimi është i sigurt. Por konsumimi i tepërt i karotave mund të shkaktojë grumbullimin e beta-karotenit dhe ta bëjë lëkurën të marrë një nuancë të verdhë në të portokalltë.
Ndërsa marrja e tepërt e vitaminës A të gatshme, sidomos përmes suplementeve, mund të jetë toksike.
Çka është më e mira për lëkurën?
Dermatologët këshillojnë një dietë të larmishme me fruta dhe perime shumëngjyrëshe, peshk, arra dhe fara, ndërsa rekomandojnë kufizimin e sheqerit, alkoolit dhe ushqimeve shumë të përpunuara.
Pra, sipas dermatologëve, sallata me karota është padyshim e shëndetshme, por nuk është “retinol natyral” dhe nuk zëvendëson kremin me retinol.
Sipas Green, kjo është një “ide e mirë për përfitimet nga antioksidantët”, por nuk duhet pritur që vetëm kjo sallatë të trajtojë aknet ose rrudhat.