KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
ВЕЧЕРНИ ВЕСТИ

Вработените во НПБ пред Врховниот суд, бараат плати од последните три месеци

NPB protesta

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore kanë protestuar sërish, duke kërkuar pagat për tre muajt e fundit dhe përshpejtimin e shqyrtimit të lëndës në Gjykatën Supreme, lidhur me bllokimin e llogarive bankare të ndërmarrjes. Ata kanë thënë se vonesat po rëndojnë gjendjen financiare të qindra familjeve

Mbi 300 punëtorë të Ndërmarrjes Publike Banesore kanë protestuar sërish, duke kërkuar pagat për tre muajt e fundit.

Të hënën, punëtorët kanë dalë para Gjykatës Supreme, duke kërkuar që lënda gjyqësore, e cila lidhet me bllokimin e llogarive bankare të ndërmarrjes, të shqyrtohet sa më shpejt.

Organizatori i protestës, Xhevat Prebreza, ka thënë se pas kësaj lënde në Gjykatën Supreme qëndron dinjiteti i tyre. 

“Pas kësaj lënde janë fëmijët tanë, janë faturat tona, është buka jonë e përditshme, është dinjiteti ynë i çdo punëtori. Ne nuk po kërkojmë ndërhyrje në drejtësi, po kërkojmë që drejtësia të mos vonohet, kur në mes është jeta e familjeve tona. Edhe pse jemi të lodhur nga mosmarrja e pagës, ne prapë po vazhdojmë të punojmë ashtu siç kemi punuar deri më sot. Po vazhdojmë të jemi sa më afër qytetarëve dhe t’i ofrojmë shërbimet sa më mirë. Ne jemi dora e djathtë e qytetit, ndaj kërkojmë nga Gjykata Supreme të bëhet dora e djathtë për ne”, ka thënë ai.

Gjatë protestës, ata kanë kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet nga të gjitha institucionet.

“Prandaj, nga kjo protestë i bëjmë thirrje Gjykatës Supreme të trajtojë me urgjencë atë që kërkon kjo situatë, për t’i dhënë fund një pritjeje që rëndon mbi qindra familje. Ne duam drejtësi. Sot, zëri i mbi 380 punëtorëve duhet të dëgjohet nga të gjithë. Paga është e drejtë, puna është dinjitet, por punëtori nuk është vetëm numër. Familja e punëtorit nuk mund të presë pa bukë”, ka thënë Prebreza.

Ai ka bërë thirrje për qetësi dhe vendosmëri në kërkimin e të drejtave të punëtorëve.

Në gusht, Ndërmarrja Publike Banesore ka njoftuar se llogaritë e saj bankare janë bllokuar për shkak të një procedure përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor.

E Gjykata Supreme, përmes një reagimi ka bërë të ditur se lënda që lidhet me këtë kontest gjyqësor është pranuar dhe regjistruar më 21 gusht 2026 dhe aktualisht është në shqyrtim.

Gjykata Komerciale e ka obliguar ndërmarrjen t’ua paguajë 32.5 milionë euro në emër të fitimit të humbur tri kompanive – “Made Kos”, “Made Group” dhe “Arkos” – me të cilat, më 2021 pati lidhur kontratë për bashkinvestim, i cili nuk është kryer.