KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
ВЕЧЕРНИ ВЕСТИ

Преговорите меѓу ВВ и ЛДК за претседателската функција се прекинати

Средба Курти - Абдиџику

Pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president, nuk janë paralajmëruar diskutime të reja lidhur me këtë çështje. Nga LDK-ja thonë se janë të gatshëm të kontribuojnë për gjetjen e një kandidati tjetër, por fillimisht duhet pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë. E nga LVV-ja thonë se do të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit

Dy kërkesat e Partisë Demokratike për interpretim të kushtetutshmërisë së konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë, i kanë ngrirë edhe diskutimet për zgjedhjen e presidentit. 

Po ashtu kandidati që doli nga marrëveshja e Lidhjes Demokratike me Vetëvendosjen – Bekim Sejdiu, të hënën ka njoftuar për heqjen dorë nga kandidatura shkaku i përplasjeve politike. 

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka thënë se subjekti është i gatshëm të kontribuojë në gjetjen e një emri tjetër, por ka theksuar rëndësinë e sqarimit kushtetues për dy procese që morën epilog të dielën. 

“Deri në këtë moment nuk ka as biseda dhe as ndonjë iniciativë të tillë. Tani ju e dini që ka lëndë të dërguara në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi para së gjithash të interesuar për vendimin që do të marrë Gjykata Kushtetuese për procedurën e konstituimit të kuvendit dhe të qeverisë”, ka thënë Lushaku.

Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka takime pa vendim të Gjykatës Kushtetuese”.

Të dielën kryetarja e sapozgjedhur, Albulena Haxhiu, e shpalli Kuvendin të konstituuar, ndonëse pa kryesi të plotë dhe përtej afateve kushtetuese. 

E burime nga Vetëvendosje kanë thënë për KOHËN se nuk është planifikuar takim 
për këtë javë me përfaqësuesit e LDK-së.

Por shefja e GP të VV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se do të ketë përpjekje që të zgjidhet presidenti i ri. 

“Natyrisht se jemi tejet të interesuar që sa më parë të kemi pozitën e presidentit me një president ose presidente që do të kryejë këtë detyrë dhe natyrisht çka është në mandatin tonë do të vazhdojmë ta bëjmë”, ka thënë ajo.

Përparim Gruda, deputet i PDK-së, pasi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese lidhur me formimin e qeverisë, ia mbylli derën Vetëvendosjes për negociata lidhur me çështjen e presidentit. 

“Ne kemi qenë të bindur nga fillimi që zotëri Kurti nuk e ka pasur ndërmend ta zgjedhë president zotëri Sejdiun, por vetëm të krijojë një momentum të ri politik për një lojë të radhës politike...Ne kemi shkuar në dialog për president edhe para zgjedhjeve të 7 qershorit edhe pas tyre. Nuk kemi arritur marrëveshje për një arsye të thjeshtë, zotëri Kurti i donte të gjitha pushtetet, e ne nuk mund t’ia lejojmë të gjitha pushtetet një njeriu. Prandaj s’kemi pse vazhdojmë një dialog i cili është i dizajnuar për të dështuar”, është shprehur Gruda.

Në fund të gushtit, LVV-ja dhe LDK-ja prezantuan Sejdiun si kandidat të përbashkët, por marrëveshjes i dolën kundër gjashtë deputetë të subjektit të tretë në vend.