KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
ВЕЧЕРНИ ВЕСТИ

Договорот меѓу Косово и ЕФТА стапува на сила на 1 октомври, Швајцарија е главен партнер

Мимоза Кусари-Лила

Фото: Дритон Пачарада

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se marrëveshja krijon mundësi për rritjen e eksporteve dhe zgjerimin e tregjeve, me potencial të veçantë në sektorin e shërbimeve. Ndërkaq, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne Lise Cattin Hennin, e ka vlerësuar marrëveshjen si hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Pjesë e EFTA-s janë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni

Më 1 tetor do të hyjë në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe katër shteteve anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë, EFTA.

Në të bëjnë pjesë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Në një sesion informues të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të martën është thënë se marrëveshja synon rritjen e eksporteve, zgjerimin e tregjeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se një prej fushave ku Kosova mund të përfitojë më shumë është sektori i shërbimeve.

“Kosova ka një bilanc të konsiderueshëm pozitiv, i cili në vitin 2023 arriti në rreth 2 miliardë e 370 milionë euro. Eksporti i shërbimeve përbën një nga avantazhet kryesore të Republikës sonë në tregtinë ndërkombëtare dhe paraqet potencial të rëndësishëm të rritjes më tutje. Në këtë drejtim, vendet e EFTA-s dhe veçanërisht Zvicra, përbëjnë partnerë të rëndësishëm tregtarë për Kosovën në fushën e shërbimeve. Zvicra renditet ndër partnerët kryesorë të Republikës së Kosovës, duke përfaqësuar 20 për qind të eksporteve totale të shërbimeve”, ka thënë ajo.

Zvicra është një prej partnerëve kryesore ekonomike të Kosovës edhe për shkak të lidhjeve të shumta ndërmjet dy vendeve.

Ambasadorja zvicerane në Kosovë, Anne Lise Cattin Hennin, është shprehur se marrëveshja krijon një kuadër të ri për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike.

“Ne po shënojmë këtë arritje të rëndësishme në marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe vendeve të EFTA-s. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis Kosovës dhe katër vendeve të EFTA-s – Zvicrës, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë – do të hyjë në fuqi më 1 tetor dhe kjo është një arritje shumë e rëndësishme. Marrëveshjet si ajo e Tregtisë së Lirë me EFTA-n krijojnë një kuadër. Dhe kuadri është i rëndësishëm. Por vetëm ai nuk krijon marrëdhënie ekonomike. Dhe kur vjen puna te Zvicra dhe Kosova, ata njerëz kanë lidhje të jashtëzakonshme. Qindra mijëra njerëz jetojnë mes Zvicrës dhe Kosovës”, ka thënë ajo.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s parasheh heqjen e plotë të tarifave doganore për të gjitha produktet industriale dhe lehtësime të mëdha për produktet bujqësore.

Nga perspektiva e Doganës së Kosovës, sipas drejtorit Agron Llugaliu, marrëveshja pritet të sjellë lehtësime në procedurat tregtare dhe mundësi të reja për bizneset që eksportojnë.

“Ne si doganë, meqë lehtësimi i tregtisë konsiderohet një nga prioritetet tona kryesore, kemi bërë zhvillime në të gjitha fushat që mund të ndikojnë në lehtësimin e tregtisë. Do të doja ta përmend më të fundit që është fillimi i deklarimit pa letër, kjo ka mundësuar që ne të kemi procedurë të përfunduar më parë se sa që kemi pasur, apo për një eksport, duke ndikuar në shkurtimin e kohës në net stacione. Jam i bindur se pasojat për bizneset tona do të jenë të dukshme, i bindur se lehtësimi do të jetë i menaxhueshëm dhe po ashtu ka krijuar mundësi që bizneset që kanë prirje në respektimin e ligjit të operojnë në pikat e eksportit 24 orë”, ka thënë Llugaliu.

Marrëveshja pritet t’u krijojë bizneseve kosovare mundësi për qasje më të madhe në tregjet e vendeve të EFTA-s, ndërsa institucionet thonë se tashmë fokusi është te zbatimi i saj dhe përgatitja e bizneseve për shfrytëzimin e këtyre mundësive.