Disa pjesë të kryeqytetit janë përballur gjatë ditës së martë me mungesë të ujit, për shkak të prishjes së një gypi afër Pallatit të Rinisë. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” nuk ka treguar se kur pritet të kthehet furnizimi me ujë e qytetarët janë ankuar për mungesë të shpeshtë
Резана Божлани
Për shkak të punimeve në një gyp me diametër 350 milimetra, te Pallati i Rinisë, një pjesë e madhe e Prishtinës, përfshirë edhe qendrën, ka mbetur të martën për orë të tëra pa furnizim me ujë.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ekipet e saj kanë ndërhyrë për riparimin e defektit.
Por, për qytetarët, kjo nuk është hera e parë që përballen me mungesë të ujit. Sami Gashi thotë se ndërprerjet e shpeshta ia vështirësojnë jetën e përditshme.
“Prej mëngjesit s’po kemi ujë, gjithë ditën po e ndalin, mos më pas, gjithë ditën mbet pa pi, po duhet me shku me marr me kerr me dikë, ja me ble, përndryshe nuk ke çka bën. Vështirë, ndodh që nuk ke as për t’u pastruar. Mbetesh pa u pastruar, shpesh”, ka thënë ai.
Mungesa e ujit ka shkaktuar probleme edhe për bizneset e gastronomisë, sipas të cilave, ndërprerjet po ua dëmtojnë punën dhe po ua largojnë klientët.
Disa nga bizneset e kontaktuara nga KOHA nuk kanë pranuar të prononcohen publikisht.
“Klientët kthehen, kështu që puna dëmtohet jashtëzakonisht shumë. Fatkeqësisht, nuk ka pasur njoftim nga ujësjellësi se kjo do të na dëmtonte ne si biznese, as zyrtarisht, as privatisht, as kurrqysh”, ka thënë menaxheri i një lokali në kushte anonimiteti.
KOHA i ka dërguar pyetje KRU-së “Prishtina” për të kuptuar se kur pritet të përfundojë riparimi i defektit dhe të rikthehet furnizimi i rregullt me ujë. Por, deri në publikimin e këtij lajmi, kompania nuk ka kthyer përgjigje.