KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
KULTURA

Уметнички триумф и молк наспроти националистичката провокација во Херцег Нови

Кори Сипарантум

“Siparantum” ia ka dalë që të jetë i pari në kategorinë e vet. Juria në përbërje të Milena Injacit, dirigjente, profesoreshë e rregullt dhe dekane e Fakultetit të Arteve në Nish, Dimitris Ktistakis është dirigjent dhe pedagog nga Greqia, Sasho Tatarčevski, profesor në Fakultetin e Arteve Muzikore në Shkup dhe dirigjentja Jasenka Ostojiq, që është profesoreshë e rregullt në Akademinë e Muzikës të Universitetit të Zagrebit, e kanë vlerësuar “Siparantimin” me 97 nga 100 pikë

Përtej provokimit nga një kor i Serbisë, kori “Siparantum” ia ka dalë që të dalë i pari në kategorinë ku garoi. U vlerësua edhe me dy çmime të tjera. Por brenda një hapësire që bashkon artistë në emër të muzikës, provokimi nga kori “Sveti Joakina i Ana” me atë njihet si “Kënga e Kosovës” është evident dhe ka shkelur rregullat që i ka caktuar vetë Festivali Ndërkombëtar i Koreve në Herceg Novi. Organizatorët e kanë përshkruar si ndodhi që duhet lënë prapa. E Ambasada e Kosovës në Mal të Zi është duke e trajtuar si rast

Disa rregulla që u janë shpërndarë pjesëmarrësve në festival janë një ogur. Sidomos ajo që “të mos bëjnë interpretime me baza nacionaliste që mund të provokojnë dhe t’i bëjnë të ndihen keq pjesëmarrësit e tjerë”. Dhe kur, moderatori në natën hapëse të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Herceg Novi të Malit të Zi përmend koret që për herë të parë marrin pjesë në këtë organizim, “Siparantum” nga Kosova nuk zë vend në prezantim. Por përmirësohet ky “gabim” posa drejtoresha e përgjithshme e Festivalit merr fjalën. Nagja Karaxhiq ka thënë se për herë të parë merr pjesë edhe “Siparantum” nga Kosova dhe se janë shumë të kënaqur me këtë.  Dhe, atmosfera duket tejet normale. Të paktën derisa një prej koreve nga Serbia të nesërmen del në skenë. 

Kori nga Kosova “Siparantum” është mirëpritur nga organizatorët në Festival. Si kor me nam ndërkombëtar ka emër. Madje një lloj adhurimi për këtë formacion koral është shprehur hapur nga koret malazeze. Sidomos nga një prej Tivari. Dhe atmosfera në qytetin bregdetar të Malit të Zi ka qenë festive. Ashtu ka ngjarë edhe në ato që njohën si koncerte miqësie në edicionin e 11-të të Festivalit që bashkon dhjetëra kore në disa kategori. Para Kullës së Sahatit në Herceg Novi, “Siparantum” ka krijuar atmosferë të këndshme. Ata që ishin aty edhe kalimtarët i janë bashkuar këndimit të disa kompozimeve të njohura ndërkombëtare. Është interpretuar edhe “Mori drandofillja e vogël”, vepër e Mark Kaçinarit. E pasditen e së shtunës, “Siparantum” ia mësyu garës. Në kategorinë e koreve të përziera qe në konkurrencë me korin “Matthiloa Consort” e korin e përzier “Zima” nga Mali i Zi. Po ashtu, edhe me korin akademik rus “Nota Bene”, e atë “Sveti Joakim i Ana” nga Serbia. “Siparantum” ka interpretuar në mbi 20 shtete dhe sidomos në gara, një vepër nga Kosova siç është “Pakëz në ëndërr, pakëz në Zhgëndërr” të Baki Jasharit e ka prej pikave më të forta. S’del në skenë pa të. Madje edhe e prezanton si vepër identitare sa i përket muzikës korale në Kosovë. Kësaj radhe, shkaku i rregullave të festivalit, “që të mos e bëjë askënd të ndihet jo mirë”, s’e ka futur në program. Shkaku i përmbajtjes së poezisë së Din Mehmetit që këndohet dhe koreografisë, kjo vepër mund të përshkruhet edhe si rrëfyese e represionit mbi shqiptarë. Madje asocon edhe me viktima. Mund të lidhet edhe me mbi 10 mijë viktimat civile shqiptare që shteti i Serbisë i ka vrarë në luftën e fundit më 1998-1999. Prej tyre mbi një mijë fëmijë. Në emër të artit “Siparantum” ka përzgjedhur për programin garues veprat, “Weep, o mine eyes” të  John Benett,  “Come Sweet Death” të  J.S.Bach me aranzhim të Rhonda Sandberg,  “Father Thunder” të Laura Jekabsone dhe “Atsalums” të Jēkabs Jančevskis. Ka përfunduar performancën para jurisë në Pallatin e Kulturës në Herceg Novi dhe kanë dalë jashtë të prirë nga dirigjenti Memli Kelmendi. 

Pas tyre në skenë ka dalë kori nga Beogradi “Sveti Joakina i Ana”. Me dy soliste tejet serioze, por me pjesën tjetër të Korit pa ndonjë nivel të lartë, ky Kor për vepër të fundit ka zgjedhur një këngë që i thyen rregullat e Festivalit. Nën shoqërimin e një daulleje të vogël dhe klarinetës kori ka interpretuar atë që njihet si “Kënga e Kosovës”, e gjendet edhe me titullin “Gora ječi”. Renditet te këngët popullore, me përmbajtje folklorike dhe nacionaliste. Njihet si këngë e vjetër vajtuese për Kosovën. Simbolikën e ka të moçme qysh prej asaj që është Beteja e Kosovës më 1389, ku mbeti i vrarë një udhëheqës serb. Aty zë fill edhe miti për Kosovën si tokë serbe. E festimi i 500-vjetorit të kësaj Beteje në Kosovën e vitit 1989 është dita kur Sllobodan Millosheviqi hapur nisi fushatën intensive të represionit ndaj shqiptarëve të Kosovës duke paralajmëruar se mund të ketë edhe beteja me armë. Vazhdoi derisa më 1999 ndërhyri bota demokratike për të ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve duke bërë që NATO të bombardojë Serbinë. “Kënga e Kosovës” u interpretua edhe në atë ditë. E Millosheviqi vdiq në burg në Hagë më 2006 duke u gjykuar edhe për krime kundër njerëzimit në Kosovë. 

KOHA menjëherë pas interpretimit të kësaj kënge në Herceg Novi ka kërkuar sqarime nga Festivali. Drejtoresha e Festivalit, Nagja Karaxhiq, ka konfirmuar se pjesëmarrësve u është kërkuar që të mos kenë përmbajtje nacionaliste në interpretime. 

“Por unë nuk e kam miratuar programin. E ka miratuar drejtoresha artistike, Jelena Cvetkoviq Crvenica. Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur dhe festivali është për t’i bashkuar artistët dhe për të festuar bashkë me muzikë”, ka thënë shkurt ajo. Anëtarë të koreve të tjera serbe janë solidarizuar me disa anëtarë të “Siparantum” duke thënë se janë ndier keq nga provokimi i bërë nga “Sveti Joakim i Ana”. Këngën serbe në garën ku ishte pjesëmarrës “Siparantum”, kor që bazën e ka në Pejë dhe emrin e ka sikurse e kishte ky qytet në antikitet, e këndon edhe një këngëtare serbe që është e lindur në Pejë më 1957.  Është Milanka Kariq e cila më 2012 qe zgjedhur deputete e Kuvendit Popullor të Serbisë me partinë “Pokret Snaga Srbije – BK”. Kariq, e cila ka qëndrime publike kundër pavarësisë së Kosovës e ka të regjistruar edhe albumin e saj, “Bistrica” ku bën pjesë edhe kënga “Gora ječi”. 
Por përtej provokimit, “Siparantum” ia ka dalë që të jetë i pari në kategorinë e vet. Juria në përbërje të Milena Injac, dirigjente, profesoreshë e rregullt dhe dekane e Fakultetit të Arteve në Nish, Dimitris Ktistakis është dirigjent dhe pedagog nga Greqia, Sasho Tatarčevski, profesor në Fakultetin e Arteve Muzikore në Shkup dhe dirigjentja Jasenka Ostojiq që është profesoreshë e rregullt në Akademinë e Muzikës të Universitetit të Zagrebit, e kanë vlerësuar “Siparantimin” me 97 nga 100 pikë. Kori “Sveti Joakim i Ana” nga Beogradi është vlerësuar me 91 pikë, kurse me 90 pikë, kori akademik rus “Nota Bene” nga Serbia. Koret tjera në kategorinë ku ishte konkurrent “Siparantum” kanë marrë nën 90 pikë. 

Nën shoqërimin e një daulleje të vogël dhe klarinetës kori “Sveti Joakim i Ana” ka interpretuar atë që njihet si “Kënga e Kosovës”, e gjendet edhe me titullin “Gora ječi”. Renditet te këngët popullore, me përmbajtje folklorike dhe nacionaliste. Njihet si këngë e vjetër vajtuese për Kosovën. Simbolikën e ka të moçme qysh prej asaj që është Beteja e Kosovës më 1389, ku mbeti i vrarë një udhëheqës serb. Aty zë fill edhe miti për Kosovën si tokë serbe 
 

Anëtari i jurisë, Dimitris Ktistakis ka thënë se “Siparantum” është një kor i shkëlqyer me nivel të lartë. 

“Është një kor që njeriu do ta dëgjojë e ta dëgjojë përsëri. Sinqerisht do të paguaja goxha shumë për një biletë për ta parë një koncert të tyre. Programin e kanë pasur shumë të mirë. Niveli i zërave dhe kultura e zërave bashkë me dirigjimin janë të mrekullueshme. Pastaj edhe koreografia”, ka thënë ai.

Ka treguar se e ka takuar dirigjentin Kelmendi dhe ia ka thënë disa opinione personale midis të cilave atë se do të donte t’i shihte me më shumë program të romantizmit. 

“Vërehet se ka shumë talente aty. Janë një diamant për Kosovën”, ka thënë ai. Festa e koreve në Herceg Novi ka qenë goxha e madhe pas ceremonisë ku janë ndarë çmimet. E “Siparantum” ka marrë një këshillë nga autoritetet diplomatike të Kosovës në Mal të Zi që t’u shmangen lëvizjeve të vona nëpër qytet pasi janë shpallur fitues në kategorinë ku kanë marrë pjesë. Ambasada e Kosovës në Mal të Zi është në dijeni për provokimin me “Këngën e Kosovës”. Dhe KOHA ka marrë vesh se janë në shqyrtim të rastit dhe do të vendoset se si do të trajtohet ky provokim. E ”Siparantum” pas përfundimit të ceremonisë së çmimeve ka lëshuar një njoftim ku nuk përmendet provokimi. 

“Në Kategorinë ‘C2 – Mixed Choir’, në konkurrencë me dy kore nga Serbia dhe dy kore nga Mali i Zi, ‘Siparantum Choir’ fitoi vendin e parë me 97 pikë, duke u shpallur fitues i kategorisë...”. Në njoftim renditen edhe çmimet për interpretimin e jashtëzakonshëm në kompozim bashkëkohor dhe ai për dirigjentin më premtues, “Radovan Popoviq” që i është ndarë Memli Kelmendit. 

Provokimi i së shtunës shënohet pak ditë pasi janë mbushur një vit prej kur shkaku i nacionalizmit serb në Mal të Zi në Podgoricë në festivalin “Xhada” qe ndërprerë dhënia e filmit “Lejleku” të Isa Qosjes.

Arsyeja: veçse është film shqiptar e në shqip. Shteti malazez në emër të lirisë së shprehjes e si reagim e kishte dhënë filmin në transmetuesin publik. Por te rasti i Festivalit të Koreve në Herceg Novi ende s’është regjistruar ndonjë reagim nga institucionet e Malit të Zi.