KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
KULTURA

Казна од илјада евра за поранешен општински функционер за мешање во „Агим Рамадани“

Казна од илјада евра за поранешен општински функционер за мешање во „Агим Рамадани“

Pa siguruar pëlqimin nga institucionet e trashëgimisë kulturore, vjet në pranverë, Komuna e Prishtinës kishte nisur punimet në rrugën “Agim Ramadani” brenda kufijve të Qendrës Historike të Prishtinës, njëherësh zonë e mbrojtur në kuadër të monumenteve të veçanta

Shpërfillja e procedurave ligjore të Ligjit për trashëgiminë kulturore kur, vjet në pranverë, është ndërhyrë me riparime në rrugën “Agim Ramadani”, hapësirë brenda kufijve të Qendrës Historike të Prishtinës, Sokol Havollit, ish-drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, i ka kushtuar me një mijë euro gjobë. Në Aktgjykim specifikohet se, në këtë rast “ka kryer kundërvajtje”. Havolli ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesë ndaj kësaj gjobe, përderisa e ka përshkruar veten si “mbështetës i zbatimit të ligjshmërisë ose rregullativave që mbrojnë trashëgiminë kulturore”

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë nisur të përballen me pasojat e veprimeve të paautorizuara në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Ish-drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Sokol Havolli, është dënuar me gjobë në shumën prej një mijë eurosh, pasi nuk i ka përfillur procedurat ligjore të Ligjit për trashëgiminë kulturore kur, vjet në pranverë, është ndërhyrë me riparime në rrugën “Agim Ramadani”, hapësirë brenda kufijve të Qendrës Historike të Prishtinës, njëherësh zonë e mbrojtur në kuadër të monumenteve të veçanta. Havolli ka thënë se do të ushtrojë ankesë për këtë rast.

KOHA ka raportuar vjet për këtë ndërhyrje. Gjykata Themelore në Prishtinë e ka gjetur përgjegjës Havollin. Në Aktgjykim tregohet se, më datën 17.04.2025, Komuna e Prishtinës, përmes njoftimit publik në “Facebook”, ka bërë të ditur se do të fillojë punimet ndërtimore të rehabilitimit të rrugës “Agim Ramadani” në Prishtinë. Bëhet e ditur se rruga ndodhet brenda hapësirave të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, një ditë më vonë, ka njoftuar të pandehurin, në cilësinë e drejtorit për Investime Kapitale, se këto punime dhe ndërhyrje në hapësira, pa siguruar pëlqimin nga institucionet e trashëgimisë kulturore, përbëjnë shkelje të dispozitave të Ligjit për trashëgiminë Kulturore, dhe është kërkuar që të mos fillohet me zbatimin e punimeve derisa të sigurohet leja nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Tregohet po ashtu se, më 18.04.2025, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka dërguar shkresë te Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave, Komuna e Prishtinës, ku është kërkuar nga kjo e fundit që të respektojë dispozitat e Ligjit për trashëgiminë kulturore.

“Gjatë datës 03.05.2025 dhe 04.05.2025 kanë vazhduar punimet për përfundimin e kësaj rruge, duke anashkaluar procedurat ligjore për pajisje me lejet e nevojshme dhe duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për trashëgiminë kulturore. Në Ligjin nr. 02/L-88 për trashëgiminë kulturore, ku në nenin 6, paragrafi 9, përcaktohet se: ‘Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon në mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në Institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse Institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim’”, shkruhet në Aktgjykim.

Në këtë dokument të protokolluar, të mërkurën e kësaj jave, specifikohet se, në këtë rast, ish-drejtori Havolli “ka kryer kundërvajtje”. Vendimi për gjobitje është marrë bazuar në nenin 11 të Ligjit për trashëgiminë kulturore.

“Mosbindja ndaj dispozitave të këtij ligji në lidhje me autorizimin e veprimtarive do të gjobitet nga Gjykata kompetente me minimum prej 1.000 (një mijë) eurosh dhe maksimum prej 500.000 (pesëqind mijë) eurosh për secilin veprim të paautorizuar”, shkruhet në këtë nen. Gjykata ka vendosur që gjoba të ketë shumën e minimumit të shumës që përcakton ky Ligj.

Në arsyetimin e Aktgjykimit sqarohet se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Gjykatë ka bërë kërkesë më 22.05.2025 ndaj të pandehurit Sokol Havolli nga Prishtina për kundërvajtje.

“Gjykata Themelore Prishtinë-Divizioni i Kundërvajtjes, mori në pyetje të pandehurin, i cili lidhur me kundërvajtjen deklaroi: ‘Nuk e pranoj kundërvajtjen e cila më vihet në barrë, sepse nuk ka pasur ndërtim apo krijim për rrugë të re, por ka qenë vetëm sanimi i gropave të një rruge ekzistuese, përafërsisht 50 vjet dhe ka qenë vetëm mbyllja e gropave të dëmtuara dhe skajoreve të dëmtuara, të cilat kanë penguar qarkullimin normal të automjeteve dhe qytetarëve. Përveç asaj, tash më se 26 vjet, asnjëherë Komuna e Prishtinës apo Ministria e Infrastrukturës nuk ka kërkuar leje apo pëlqime për sanim të dëmeve të vogla dhe punishtet të tilla mund të gjenden edhe sot duke ndodhur në këtë moment që jam në Gjykatë, në po të njëjtën rrugë, të paktën 4-5 lokacione. Sipas Ligjit për trashëgiminë, nuk kërkohet leje për ndërhyrje minore, të cilat nuk ndryshojnë në strukturë dhe as në pamje të hapësirave afër monumenteve. Në mbrojtje ka ndërhyrje minore dhe nuk kërkohet pëlqim nga ndonjë institucion tjetër, andaj kërkoj nga Gjykata që të më lirojë nga kjo kundërvajtje’”, shkruhet në arsyetim.

Më pas, Gjykata ka intervistuar edhe zyrtarët e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe më pas ka vendosur.

“Meqenëse i pandehuri nuk i ka përfillur procedurat ligjore të Ligjit për trashëgiminë kulturore, i njëjti ka rënë ndesh me Ligjin për trashëgiminë kulturore, neni 6, pika 1.6, e që sanksionohet në nenin 11 të po këtij Ligji. Sipas këtij Ligji, përcaktohet që për çdo krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të ndonjë monumenti arkitektural është i nevojshëm aplikimi për leje dhe nuk qëndron pretendimi i të pandehurit se për renovime nuk kërkohet leje paraprake. Arsyetimi i të pandehurit vlerësohet nga Gjykata si përpjekje për ikje nga përgjegjësia e kundërvajtjes”, shkruhet në arsyetim.

I kontaktuar nga KOHA, ish-drejtori Havolli ka thënë se, ashtu sikurse është deklaruar edhe në Gjykatë, mendon se Ministria e Kulturës nuk ka pasur të drejtë ta bëjë këtë ankesë, pasi ndërhyrjet nuk kanë pasur të bëjnë me ndryshime strukturore të asaj pjese.

“Ka pasur vetëm rikuperim të asfaltit në praktikë. Ka pasur mbyllje të gropave ose eliminim të pjesëve të deformuara të asfaltit, që janë aktivitete të rregullta. Këto argumente i kam paraqitur edhe para Gjykatës. Natyrisht, unë, konform të drejtës sime ligjore, do të paraqes ankesë ndaj kësaj gjobe, pasi ndërhyrje të tilla bëhen në baza ditore në krejt kryeqytetin”, ka thënë ai. E ka përshkruar veten si mbështetës të zbatimit të legjislacionit të trashëgimisë kulturore.

“Unë jam mbështetës i zbatimit të ligjshmërisë ose rregullativave që mbrojnë trashëgiminë kulturore. Këtë e kam dëshmuar. Pas shkresave të Ministrisë së Kulturës, përkundër insistimit të kryetarit Përparim Rama, kam vendosur që t’i ndërpres punët te tregu e te rruga ‘Qamil Hoxha’ derisa të bëhet miratimi i projektit nga institucionet e Ministrisë së Kulturës”, ka thënë ai. Më pas ka shtuar se vendimi për punimet te rruga “Agim Ramadani” nuk ka qenë personal, por institucional dhe Gjykata është dashur t’i drejtohet institucionit.

Pjesa ku kishte ndërhyrë komuna, midis të tjerash, është edhe në zonat mbrojtëse të aseteve të trashëgimisë kulturore arkitekturore, duke përfshirë Xhaminë e Çarshisë, Muzeun Kombëtar të Kosovës, Teatrin Kombëtar të Kosovës, Gjykatën Komunale, ish-Kadastrin, Shkollën e parë shqipe dhe një shtëpi banimi, po ashtu nën mbrojtje.

Edhe me insistimin e flaktë publik të Havollit, Komuna e Prishtinës ka nisur punime pa përfillur Ligjin për trashëgiminë kulturore në sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Qamil Hoxha” e te tregu afër ndërtesës së RTK-së. Te sheshi “Xhorxh Bush” është dashur që të ndalen punimet tre herë, që Komuna të bindet se s’mund të vazhdojë. Më pas, projekti është miratuar nga IKMM-ja, pasi Komuna i ka larguar nga projektimi lokalet krejt afër monumenteve. Punimet janë ndalur po ashtu te rruga “Qamil Hoxha” pas disa tentimeve të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. E Komuna ka ndalur punimet te tregu pas një sërë shkresash e përfshirjes edhe të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.